E Diel, 1 Nëntor 2026

Marrëveshja e Ohrit, pikëpyetjet 8 vjet më pas

Shqiptarët, me rastin e 13
gushtit, tetëvjetorit të
Marrëveshjes së Ohrit,
janë përballë një dileme
të madhe: Nëse është realizuar
apo jo tërësisht Marrëveshja e
Ohrit dhe fryma e saj. Deklaratat
dhe imponimet optimiste
duken shumë cinike përballë
fakteve dhe realitetit të zymtë
të shqiptarëve, pa gjuhë shqipe,
pa simbole kombëtare, me injorimin
institucional të kësaj marrëveshjeje
nga maqedonasit etj.
Tetë vite pas 13 gushtit të
vitit 2001, analizat, raportet dhe
vlerësimet e ndryshme flasin
se dokumenti që parandaloi
konfliktin e asaj kohe nuk ka
arritur ta mbyllë çështjen shqiptare
në Maqedoni. Shqiptarët
vazhdojnë të kenë të pazgjidhur
në mënyrë të qartë shumë probleme
të tyre, që megjithatë
ngelën si vazhdimësi e injorimit
dhe nëpërkëmbjes së këtij dokumenti
të paqes të miratuar
tetë vite më parë me një garanci
ndërkombëtare. Realiteti lidhur
me mospërmbushjen e detyrimeve
të Marrëveshjes së Ohrit
është alarmuar edhe nga partitë
opozitare, kryesisht më e zëshme
PDSH-ja, e cila e ka vlerësuar
këtë dokument të parealizuar
dhe të shkatërruar. Janë shumë
probleme që janë trashëguar
dhe nuk kanë gjetur zgjidhje,
ndërsa argumentet rreth mungesës
së zbatimit të plotë të këtij
dokumenti i japin edhe analistët
politikë. Nga ana tjetër, BDI-ja ka
deklaruar se deri më tani është
bërë punë e madhe për zbatimin
e saj, por duhet të punohet edhe
në të ardhmen, me qëllim që
ajo t‘i japë rezultatet e pritura,
njofton agjencia e lajmeve INA.
Arben Xhaferi, nënshkruesi i
Marrëveshjes së Ohrit, sqaron se
kjo marrëveshje nuk është realizuar,
edhe përkundër pretendimeve
të ndryshme. "Marrëveshja
e Ohrit në mënyrë brutale nuk
është realizuar sidomos në ato
pika kryesore që e bënë këtë
marrëveshje të jetë zgjidhje e
konfliktit të vitit 2001. Në rend
të parë e kam fjalën për përdorimin
zyrtar të gjuhës shqipe,
pastaj për decentralizimin dhe
përfaqësimin adekuat, sidomos
në aneksin C, ku flet për rregullimin
e statusit të pjesëmarrësve
të konfliktit të vitit 2001. Të
gjitha këto, në mënyrë të egër
politikisht u shkelën, kështu që
PDSH-ja del me një propozim
për një kontratë të re, që do të
ketë fuqi obliguese për të gjithë
ata që ndikojnë në këtë proces", Thaçi:
deklaroi Xhaferi, i cili e firmosi
këtë marrëveshje së bashku me
Imer Imerin, kryetarin e PPD-së.
Një nga protagonistët e periudhës
së arritjes së Marrëveshjes
së Ohrit, Naser Zyberi, thekson
se kjo marrëveshje, si e tillë, në
distancën prej tetë vitesh e ka
humbur peshën dhe rëndësinë
e saj që ka pasur dhe kjo shpjegohet
me dy shkaqe kryesore.
"Implementimi i saj u stërzvarrit
tej mase dhe arsyeja tjetër është
se u deformua fryma e kësaj
marrëveshjeje kornizë gjatë
implementimit si në Kushtetutë
edhe në fakte relative. Për kohën
kuptohet se ka qenë një akt
shumë i rëndësishëm, sepse solli
ndërprerjen e konfliktit dhe evitimin
e një lufte gjithëpërfshirëse
qytetare dhe e dyta për herë
të parë detyroi faktorët politikë
maqedonas të pranojnë faktin se
shqiptarët janë të diskriminuar
në Maqedoni", nënvizoi analisti
Zyberi. Sipas tij, kjo marrëveshje
tani duket e zbehtë, e deformuar,
me shumë vonesa në zbatimin e
saj dhe së shpejti do të vijë koha
kur kjo Marrëveshje, si e tillë,
do të jetë e pamjaftueshme dhe
si kornizë e ngushtë për t‘i zgjidhur
problemet e shqiptarëve
në Maqedoni dhe do të shtrohet
nevoja për një Marrëveshje të re
më të nevojshme se Marrëveshja
e Ohrit.
Analisti Nijazi Muhamedi
vlerëson se Marrëveshja e Ohrit,
përveç se nuk është realizuar,
ajo teorikisht dhe politikisht e
konsolidon shtetin kombëtar
maqedonas edhe atë mbi baza
të ideologjisë nacionaliste maqedonase,
të cilat kanë për qëllim
mohimin dhe shkatërrimin e
identitetit shqiptar. "Marrëveshja
e Ohrit, e cila edhe në
kornizën e saj nuk mbështetet
në parimet e një marrëveshjeje,
por vetëm në parimin e diktuar,
sipas të cilit, karakteri unitar,
gjegjësisht karakteri kombëtar
maqedonas i shtetit, është i
pashkelshëm, është një legjitimim
i vendimeve të ASNOM-it
për krijimin e shtetit kombëtar
maqedonas dhe një legjitimim
i ri i Kushtetutës së 1991-shit që
e konsolidoi njëanshëm shtetin
kombëtar maqedonas, të cilin
lëvizja politike e shqiptarëve në
Maqedoni e kontestoi, ndërsa
maqedonasit shpifën këtë përrallë
dredhie të quajtur ‘Marrëveshje
e arritur më 13 gusht
të vitit 2001 për të kontestuar
vullnetin e plotë të popullit
shqiptar‘", ka theksuar analisti
Muhamedi. Sipas tij, është turp
historik të thuhet se kjo marrëveshje
i bën të barabartë shqiptarët
me maqedonasit apo është një
kompromis mes dy popujve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›