E Diel, 1 Nëntor 2026

Martin Amis dhe fanatizmi islamik

Libri titullohet "Avioni i dytë" dhe përmbledh dy tregime dhe njëmbëdhjetë ese të shkruara pas 11 shtatorit 2001. Në një vëzhgim "lakuriq", Amis flet për raportin mes Islamit dhe Perëndimit

Martin Amis duket në humor të mirë: i ulur mbi një divan me ngjyrë të kuqe të ndezur, poshtë një portreti nudo të pikturuar nga e shoqja, piktorja dhe shkrimtarja Izabel Fonseka. Në shtëpinë e tij të bukur në Primrose Hills, lagjja e intelektualëve, artistëve, aktorëve, një bohemë londineze, tregon se sapo ka përfunduar romanin e tij të ri. Në të, ngjarjet janë vendosur në Itali, në kohën e revolucionit seksual të viteve ‘70. Libri mendohet se do të publikohet në vjeshtë në Angli. Por në të vërtetë, Amis preferon të flasë më shumë për një vepër tjetër, "Avioni i dytë", që pritet të dalë këto ditë në Francë, Gjermani dhe Itali. Nëntitulli për të gjithë ata që mund të kenë dyshim (edhe pse kopertina me imazhin e kullave binjake teksa rrëzohen e shpjegon më së miri) është: 11 shtator 2001-2007. Ishte avioni i dytë terrorist që shoi çdo shpresë dhe iluzion. Nëse lajmi se avioni i parë kishte goditur një nga grataçielat e "World Trade Center" mund t‘i bënte shumë të mendonin për një aksident të tmerrshëm, shkruan Amis, përplasja e avionit të dytë me grataçielën tjetër disa minuta më vonë, tregoi menjëherë se për çfarë bëhej fjalë. Libri i autorit të shumë bestsellerve botërorë, si "Informacioni", "Paratë" apo "Shtëpia e takimeve", përmban dy tregime dhe njëmbëdhjetë ese të shkruara pas atentatit që përkoi me hyrjen e shekullit të ri dhe njëkohësisht një problemi të frikshëm: fanatizmin islamik, luftën e shenjtë të "Al Kaedës" kundër Perëndimit. Djali i një shkrimtari të madh marksist, Kingslej Amis, Martin "heton" për raportin mes Perëndimit dhe islamit me të njëjtën paanësi të sinqertë me të cilën kishte eksploruar atë midis Perëndimit dhe komunizmit në librin "Koba, i tmerrshmi", biografisë së Stalinit dhe gjithë asaj që e majta evropiane për një kohë të gjatë preferoi të mos dinte për diktatorin sovjetik.

Qëndrimet tuaja kanë ngjallur shumë polemika, përfshi këtu edhe akuzën për "islamafobi". Sipas jush, çfarë mund t‘i ketë bërë kaq shumë përshtypje njerëzve nga ky libër?

Ndoshta për faktin që e konsideroj raportin midis "Al Kaedës" dhe Perëndimit si një çështje fetare. Besimi, që e mbështesin shumë njerëz, sidomos të majtët, së cilës e ndiej se i përkas, nuk ka lidhje fare, por janë arsye të tjera. Me siguri, Osama bin Laden e përdor atë si një mjet për të theksuar urrejtjen e masës, por ushtarët e luftës së tij të shenjtë vriten në emër të besimit. Fanatizmi, ekstremizmi janë pasojat e poshtërimit që për një kohë të gjatë islami ka ushqyer ndaj Perëndimit. Por, kjo e vërtetë banale, nuk mund të thuhet më pa shkaktuar protesta dhe akuza.

Përse nuk mundet?

Pas fundit të erës koloniale, kjo gjë u ndalua. Në këtë kohë, nuk mund të thuhen më gjëra negative për islamin. Për më tepër, diskutimi duhet zgjeruar: nuk mund thuash më asgjë negative për asnjë grup njerëzish që e kanë ngjyrën e lëkurës të errët. Dua të them se, nëse "Al Kaeda" do të ishte krijuar në Norvegji, në Afrikën e Jugut mes të bardhëve racistë, apo në sektet e së djathtës ekstreme amerikane, me pak fjalë mes njerëzve me sy blu, mund ta shanim fenë e saj me fjalët më të rënda. Por, pikërisht se ka lindur mes arabëve, është e rrezikshme ta bësh diçka të tillë. A mund të besojë njeri se Hamasi nuk ka lidhje fare me fenë?

Doni të thoni se ka diçka të gabuar në islam?

Dua të them se të gjitha besimet përmbajnë nxitje të fuqishme për dhunë: edhe Testamenti i Vjetër është i mbushur me shumë të tilla. Por, islami përmban ndoshta më shumë, sepse profetët e tij, ndryshe nga Jezu Krishti, ishin njerëz aktivë, me Kuranin në njërën dorë dhe kordhën në tjetrën. Një tjetër arsye është se islami është një fe e re, e cila ka lindur 600 e ca vjet pas krishterimit. Gjashtë ose më shumë shekuj më parë, bëheshin krime të tmerrshme edhe në emër të krishterimit, por pastaj ky besim evoluoi, kaloi përmes Rilindjes dhe Iluminizmit. Islami nuk ka pasur as njërën dhe as tjetrën.

Domethënë na duhet të presim 600 vjet për një ndryshim, për një zgjidhje të problemit?

Shpresoj që jo. Sepse 600 vjet, me ritmin e një progresi të tillë teknologjik, janë një kohë jashtëzakonisht e gjatë dhe e rrezikshme. Dy linjat e sotme paralele, ajo e ekstremizmit islamik dhe armëve të shkatërrimit në masë, mund të bashkohen shumë më përpara, madje sipas atyre që e kanë llogaritur datën, mund të jetë diku nga viti 2030. Shpresoj që progresi teknologjik të shërbejë për ta bërë më të shpejtë ndryshimin. Kam shumë besim te revolucioni i internetit, edhe pse mendoj se ka shërbyer për të nisur luftën e shenjtë.

Në çfarë kuptimi?

Interneti i ka shkrirë kufijtë. Edhe antenat satelitore, për të kapur të gjitha televizionet e botës nga çdo cep i tokës, kanë luajtur rolin e tyre. Për këtë arsye, nuk besoj te teoria e përplasjes së qytetërimeve të nxjerrë nga sociologu amerikan, Samuel Huntington: në qytetërimin e sotëm global, komunikimi është i plotë dhe kështu do të vazhdojë të jetë. Por fanatikëve të fesë islame, atyre që u ngjallin neveri zakonet tona, barazia mes sekseve, të drejtat e homoseksualëve, liria e fjalës, shkrirja e kufijve gjeografikë falë revolucionit dixhital, u ngjall frikën. E ndjenin se duhej të ndërhynin, para se të ishte vonë, në mënyrë që populli dhe bota e tyre të mos binte në obskurantizëm fetar, ndaj vendosën ta provonin.

Një aspekt tjetër që ju prekni në librin tuaj është represioni seksual si bazë, ose le të themi më mirë si një nga bazat për terrorizmin e "Al Kaedës"...

Djalli është tunduesi më i madh i njeriut në librat e shenjtë. Po në Tokë, kush është tunduesi më i madh për ekstremistët islamikë? Është Amerika, djalli i madh. Të shihje gjithë ato gra të lira, që jo vetëm e kanë fytyrën të zbuluar, por që duan ta përdorin atë për t‘u ndjerë më tërheqëse, ka qenë fitili i bombës që ishte duke shpërthyer. Atë që përpiqesh ta kesh, por nuk mund ta kesh kurrë, duhet ta shkatërrosh.

Më parë përmendët Hamasin. Sipas mendimit tuaj, a duhet të dialogojë Amerika dhe në përgjithësi Perëndimi, me Hamasin?

Sigurisht që po. Me Hamasin, me Iranin me këdo që mund t‘i shtyjë drejt një dialogu paqeje. Vetëm kështu mund të "luftojmë" urrejtjen fetare. Duhet dialoguar, madje edhe vlerësuar për hapat që mund të kenë bërë: ashtu si Britania e Madhe bëri me guerilasit e IRA-s në Irlandën e Veriut.

Duket se kjo është rruga që synon të ndjekë edhe Barak Obama?

Zgjedhja e Obamës ishte një ogur i mirë për botën...

Mjafton ta shohësh, gjithçka që bën transmeton ngrohtësi dhe pozitivizëm, shumë ndryshe nga Bushi. Ishe një shenjë edhe për radikalët e majtë që thoshin: Eh, do të ishte shumë bukur, por Amerika nuk do ta zgjidhte kurrë një President me ngjyrë. Kam shpresa të mëdha për Obamën edhe për një tjetër arsye: Presidenti i ri është një shkrimtar i vërtetë. Nuk dua të them një romancier, të paktën jo për momentin, por librat e tij zbulojnë një stil dhe talent të veçantë dhe kjo duket edhe nga mënyra se si flet. Që aty kuptohet se di të shkruajë. Një shkrimtar në Shtëpinë e Bardhë: ja për çfarë kishte nevojë bota.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›