E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festivali i dhjetorit, 20 garuesit për në “Eurosong”

 

Alma Mile 

Pak dhe saktë. Kjo ka qenë motoja edicionit të sivjetshëm të Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Publik Shqiptar, që këtë vit shënon vitin e 47-të. Ndryshe nga të gjitha edicionet e mëparshme, këtë herë do të konkurrojnë vetëm 20 këngë për trofeun e festivalit, por më së shumti për të shkuar në Festivalin Evropian të Këngës. Pas përcaktimit të strukturës së këtij viti në mbledhjen e Këshillit Drejtues të RTSH-së, u shpall edhe lista përfundimtare e këngëtarëve pjesëmarrës, që do të ngjiten në skenë në datat 19, 20 dhe 21 dhjetor. Në listën emërore shquhen emra të njohur si Rovena Dilo, Juliana Pasha, Soni Malaj, Agim Poshka, Besa Kokëdhima, grupet “West Side Family”, por edhe Shpat Kasapi, që synon dhe ai drejt Evropianit. Këta të fundit konkurrojnë për herë të parë në skenën e festivalit shtetëror, pasi kanë provuar suksesin në festivale të tjera private. Ndërkaq, vihet re rikthimi i disa emrave të “vjetër” në fushën e kompozimit, si Dorian Nini, apo Josif Minga, për të vijuar me Saraçin, Kaçinarin, Rexhepagiçin, Marsin, etj. E përcaktuar qartë në rregulloren e festivalit, autorët e muzikës dhe teksteve nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në garë me më shumë se një këngë e aq më pak të ketë konflikte interesi, për të mos përsëritur përplasjet e një viti më parë. Dje filloi dita e parë e provave me orkestrën simfonike pranë studiove të RTSH-së dhe duket se tashmë një nga aktivitetet më të mëdha muzikore të vitit po merr formë. Po këto ditë do të realizohet edhe regjistrimi i këngëve. Materialet muzikore janë kaluar disa herë nga redaksia e muzikës dhe tani po punohet për një proces, të konsideruar shumë të rëndësishëm, titujt e këngëve. Për drejtorin artistik, Pirro Çako, ata duhet të jenë sa më goditës, që të mbeten në mendjen e dëgjuesit. Ka qenë ideja e drejtorit artistik Pirro Çako, ajo e pranimit të vetëm 20 këngëve, duke eliminuar edhe procedurën e përzgjedhjes së këngëve për në natën finale. Të gjitha krijimet pjesëmarrëse në të, do të hyjnë në natën finale. Do të prezantohen të gjitha në natën e parë nga këngëtarët konkurrentë, ndërsa natën e dytë do të vijnë përmes zërave të këngëtarëve VIP, si Irma dhe Eranda Libohova, Aleksandër Gjoka, Mariza Ikonomi, etj. Për të ardhur sërish në natën finale, e cila do të përcaktojë edhe fituesin e edicionit të radhës, që do të zgjidhet nga një juri e përbërë nga 7 personalitete të muzikës, por edhe fushave të tjera të artit dhe votimi do të jetë i hapur. Mësohet se ende nuk janë përcaktuar anëtarët e jurisë, por mund të ndodhë edhe që publikimi i tyre të shtyhet në kohë, në mënyrë që të kufizohen sa më shumë, të gjitha ndërhyrjet e mundshme. Siç është bërë tashmë e njohur, regjia edhe këtë vit i është besuar regjisorit Pali Kuke, i cili vjen sërish me gjetje të reja. Ka risjellë nga Italia këngëtaren Elsa Lila, për të drejtuar sërish festivalin, por këtë herë në krah të dy djemve mjaft energjikë. Bëhet fjalë për aktorët e rinj të humorit, Julian Deda dhe Gentian Zenelaj, të cilët priten të krijojnë një atmosferë të gjallë në skenën e festivalit e ta nxjerrin nga kornizat skematike të prezantimit, me të cilat jemi mësuar tashmë. Nuk është hera e parë që Kuke tenton t’i japë doza humori kësaj skene. E ka provuar me dyshen Agron Llakaj dhe Agim Bajko, shumë të suksesshëm, por që nuk kaluan pa incidente, për të vijuar me ndërhyrjet e Eriona Kakelit e Salsano Rrapit e për të arritur tek çifti Deda-Zenelaj, tashmë të njohur prej spektaklit të humorit “Portokalli”. Ndërsa skenografia është sërish në duart e skenografik Bashkim Zahaj. Është për t’u shënuar që festivali do të ketë edhe një stilist, Ardi Asllanin, që do të kurojnë veshjet e këngëtarëve, duke mos ia lënë këtë rastësisë.

Lista e këngëtarëve

Rovena Dilo, Gent Bushpepa, kompozitor
Armend Rexhepagiç
Grupi “West Side Family”
Endri dhe Stefi, kompozitor Josif Minga
Juliana Pasha e Luiz Ejlli, kompozitor Shpëtim Saraçi
Soni Malaj, kompozitor Florian Mumajesi
Kejsi Tola, kompozitor Edmond Zhulali
Dorina Garuci, kompozitor Dorian Nini
Marjeta Billo, kompozitor Adrian Hila
Evis Mula, kompozitor Luan Zhegu
Kujtim Prodani, kantautor
Era Rusi, kompozitorë Arsen Nasi, Bledar Skënderi
Julian Lekoçaj, kantautor
Besa Kokëdhima, kompozitor Alban Male
Agim Poshka, kantautor
Grupi “Burn”
Vedat Ademi, kompozitor Kledi Bahiti
Bledi Polena, kompozitor Sokol Marsi
Shpat Kasapi, kompozitor Gent Myftaraj
Erga Halili, kompozitor Kristi Popa
Adelina Thaçi, kompozitor Alfred Kaçinari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›