E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Triptiku” i Puçinit, për herë të parë në Tiranë

 

Për herë të parë në skenën shqiptare ngjitet një nga veprat e njohura të Giacomo Puçinit “Il Trittico” (“Triptiku”). Kjo vepër e cila do të shfaqet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, në datat 7-12 dhjetor përbëhet nga operetat “Kapota”, “Suor Angelica” dhe “Gianni Schichi”. Edhe pse në skena të ndryshme të botës kjo vepër ndodh t’i besohet tre regjisorëve të ndryshëm, në skenën tonë do ta vendosë regjisori Nikolin Gurakuqi, duke marrë përsipër kështu një sprovë të trefishtë. Skenografia e veprës është realizuar nga Platon Bardhi, ndërsa kostumet do të huazohen nga Fondazione Teatro Lirico “G. Verdi” Mjeshtre koncertuese dhe dirigjente është Gianna Fratta, për të cilën nuk është hera e parë që vjen në Tiranë. Të ftuar për të interpretuar janë këngëtarët lirikë Sahap Cuneyt Unsal dhe Dobromir Tzvetanov, për të vijuar me të tjerë artistë si Etleva Golemi, Mariana Leka, Armaldo Kllogjeri, Sonila Baboçi, Irini Nikolla, Sidrit Bejleri, etj., dhe sigurisht nën shoqërinë e korit dhe Orkestrës Simfonike e TKOB-it, dhe studentëve të Akademisë së Arteve. Prezantimi i parë i kësaj vepre ishte programuar në Teatrin “Costanzi” të Romës, por vështirësitë e luftës e shtynë Puçinin dhe Rikordin të zgjedhë një tjetër plate për shfaqjen e saj. Pranuan kështu propozimin e Metropolitan-it në Nju Jork. Puçini nuk asistoi në premierën njujorkeze, për shkak të paqëndrueshmërisë së situatës ndërkombëtare, që provokoi një sërë vështirësish. Qëndroi në Itali, në Romë, për të përgatitur debutimin “e shtëpisë”, në janar të vitit 1919. Në Romë “Suor Angelica” u rehabilitua ndaj kritikës dërrmuese amerikane, vlen të theksohet suksesi i “Gianni Schicchi” ndërsa “Tabarro” u kritikua ashpër, jo aq për orkestrimin, sesa për tejkalimin e të vërtetës në subjekt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›