Për një gjobë, ish-efektivi plagos policin e qarkullimit
KORÇE - Një ish-punonjës i Policisë së Shtetit plagos policin e qarkullimit rrugor. Ngjarja që kishte motiv hakmarrjen për një gjobë ndodhi mesditën e së martës në aksin Korçë-Pogradec. Oltion Çami, pasi nuk i është bindur tabelës sinjalizuese për të ndaluar, ka plagosur duke e goditur me mjetin e tij, efektivin e qarkullimit, Resul Ravolli. Sipas policisë, ngjarja që për pak i mori jetën policit, u shkaktua nga një ish-koleg i tij, i përjashtuar nga radhët e policisë për shkelje disiplinore. Afër Maliqit, dy punonjës policie kishin ngritur postbllok. Ravolli i ka bërë shenjë të ndalohej mjetit që drejtohej nga Oltion Çami. Por ai rriti shpejtësinë dhe goditi me parakolpin e makinës efektivin. Disa metra më tej, mjeti ndaloi dhe drejtuesi shkoi drejt viktimës. Ish-efektivi jo vetëm nuk i dha ndihmë të plagosurit, por pasi pështyu, fyeu dhe goditi me shkelma të plagosurin, u largua. “Nëse merresh me familjarët e mi do të të vras!”. Më këto fjalë është larguar Çami, i cili është shpallur në kërkim. I plagosuri u dërgua nga kolegu i tij në spitalin e Korçës, ndërsa blutë nisën hetimin. Mësohet se Ravolli u bë pre e dhunës, pasi ai i kishte vënë një gjobë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor një kushëririt të autorit. j.gj