E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbia hap bazën më të madhe ushtarake në kufi me Kosovën

 

Serbia ka hapur bazën më të madhe ushtarake në kufi me Kosovën. Baza e vendosur në kodrën Cepotina pranë Bujanovcit, u hap solemnisht të hënën, shtatë vjet pas vendimit për ndërtimin e këtij kompleksi ushtarako-policor në Luginën e Preshevës, ku jeton etnia shqiptare. Sipas mediave serbe, Tadiç është shprehur se ndërtimi i kësaj baze në këtë pjesë të vendit, është themelore për stabilitetin e vendit (ku sipas autoriteteve serbe përfshihet edhe Kosova). Baza “Jug” është ndërtuar në një sipërfaqe me 33 hektarë dhe në të ndodhen 66 objekte, ku mund të vendosen afro 1 mijë ushtarë profesionistë. Është planifikuar që në të ardhmen të ndërtohen objekte shtesë, në një sipërfaqe prej rreth 50 hektarësh. Deri tani investimet për bazën kanë kaluar 17 milionë euro. Në ceremoninë e hapjes morën pjesë presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, kryeministri serb, Mirko Cvetkoviç, ministri i Mbrojtjes, Dragan Sutanovaç, shefi i Gjeneral-shtabit të Ushtrisë Serbe, Miloje Miletiç, si dhe të tjerë diplomatë. Liderët e shqiptarëve që jetojnë në luginën e Preshevës e quajtën hapjen e bazës “pushtim” dhe “militarizim” të Serbisë jugore. Ndërsa Tadiç e vlerësoi si arritje të madhe. “Çdo qytetar i Serbisë i cili dëshiron paqe dhe stabilitet në rajon dhe marrëdhënie të mira ndërkombëtare duhet të jetë i kënaqur me hapjen e bazës”, tha Tadiç para gazetarëve duke shtuar se: “Të gjithë ata që nuk duan paqe dhe stabilitet dhe janë të përfshirë në krimin e organizuar nuk duhet të jenë të kënaqur”. Sipas gazetës “Blic”, bisedimet për nevojën e ndërtimit të bazës në jug të Serbisë kanë nisur në fund të vitit 2001, pas përfundimit të konfliktit me UÇPMB-në, e u thelluan në prill të vitit 2002, kur Ushtria serbe braktisi kazermën e Bujanovcit. Vendimin për ndërtimin e bazës e solli qeveria federale e Republikës Federale të Jugosllavisë së atëhershme, në janar 2003 dhe fillimisht ishte parashikuar që baza të shfrytëzohej nga forcat e ushtrisë dhe ministrisë së Brendshme serbe. Në fillimi ishin ndarë 200 milionë dinarë (rreth 2 milionë euro) për të, kurse punimet filluan në prill 2003, ndërkohë që ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Boris Tadiç, dhe shefi i Gjeneral-shtabit, Branko Kvrga, paralajmëruan se ushtria dhe xhandarmeria do të hynin në objekt deri në fund të vitit 2003. Punimet u ndërprenë në vitin 2003 sepse mungonin edhe 5.2 milionë euro për përfundimin e tij. Para një viti, Ministria e Mbrojtjes njoftoi se “për shkaqe objektive dhe subjektive” afati s’do të arrihej. Ministri i Mbrojtjes, Dragan Sutanovac, deklaroi në tetor 2009 se sivjet ekziston dëshira edhe për zgjerimin e saj, dhe se baza do të përfundoj deri në fund të vitit. Komandanti i Ushtrisë Tokësore të Serbisë, Ljubisa Dikovic, në fillim të nëntorit i tha agjencisë “Beta”, se këtu bëhet fjalë për bazën më të madhe dhe më moderne në rajon, me kushtet që ushtarët dhe oficerët “në rang me kushtet që i kanë ushtritë më moderne botërore”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›