E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, gjendet pa jetë endacaku 38-vjçar

 
 
Shkodër- Një kufomë e seksit mashkull është gjendur pa jetë mëngjesin e djeshëm në fshatin Tanushaj të komunës Vig Mnelë në rrethin e Shkodrës. Kufoma, e cila ështëidentifikuar se i përket shtetasit Pjerin Zef Gjoka, 38-vjeç, lindur në fshatin Dush të Gomsiqes në Vaun e Dejës, është gjetur në breg të lumit nga një banore e fshatit që kishte shkuar për të mbushur ujë. Sipas burimeve zyrtare të policisë, mësohet se viktima bënte prej kohësh jetën e endacakut dhe nuk kishte një banesë të vetën për të jetuar. E njoftuar nga gruaja që e pa trupin e pajetë buzë ujit, policia shkoi me urgjencë në vendin e ngjarjes. «Të dhënat e para mbi trupin e viktimës dhe ekspertizës së bërë arriti në konkluzionin se 38-vjeçari ka vdekur dy ditë më parë»- thonë burimet hetimore. Ndërkohë, nga këqyrja e trupit nuk kanë rezultuar shenja dhune mbi të. Kufoma është dërguar më pas në morgun e spitalit të Shkodrës, kuështë konfirmuar se vdekja e tij ka qenë natyrale, ndikuar edhe nga temperaturat e ulëta të ditëve të fundit, duke qenë se viktima jetonte rrugëve. Sipas të njohurve të 38-vjeçarit, ai kishte një banesë në Torovicë të Lezhës, por bënte jetën e endacakut. «Nuk kishte familje, njihej si person i alkoolizuar dhe invalid »- thonë ata. Po sipas të njohurve, ai vite më parë kishte qenë emigrant në Greqi ku dhe pasi ishte aksidentuar me motorçikletë është nxjerrë jashtë nga Greqia pasi ishte pa dokumente. Me ardhjen në Shqipëri ai ka bërë jetën e endacakut duke mos formuar familje. Në vendin ku është gjendur kufoma, polica ka gjetur dhe sendet e tij personale, cigare etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›