Xhepexhiu rrëfen masakrën e Cërrikut
TIRANE – Roland Xhepexhiu, një prej të pandehurve të “bandës së Cërrikut”, të akuzuar për ngjarjen ku u vranë 6 punonjës të Gardës dhe u plagosën disa të tjerë, solli dje versionin e tij për ngjarjen. Në seancën e radhës në Gjykatën për Krimet e Rënda, i pandehuri Xhepexhiu iu përgjigj pyetjeve të palëve në proces. Në dëshminë e tij ai përjashtoi veten nga pjesëmarrja në ngjarjen e cilësuar si “masakra e Cërrikut”. Xhepexhiu rëndoi pozitat e “të penduarit dhe bashkëpunëtorit të drejtësisë” në këtë grup, Bujar Buzani, duke deklaruar para gjykatës përfshirjen e tij në ngjarje. Ndër të tjera, Xhepexhiu deklaroi se presidenti i atëhershëm kishte dijeni për vajtjen e gardistëve në Cërrik dhe se ishte po ai që kishte dhënë urdhrin për vajtjen e tyre atje. Sipas Xhepexhiut, ai kishte ndihmuar në ruajtjen e qetësisë në Cërrik. Ndërkohë që me largimin e një prej mbrojtësve seanca e djeshme u ndërpre, duke e lënë në mes edhe pyetjen e të pandehurit. Xhepexhiu pohoi dje se në momentin që ka ndodhur ngjarja ai ishte diku pranë qendrës së Cërrikut. “Ditën e ngjarjes isha duke pirë në një nga lokalet pranë qendrës së Cërrikut. Dëgjova krisma dhe dola jashtë të shikoja”, ka pohuar ai përpara gjykatës. Në vijim Xhepexhiu deklaroi se kishte parë Bujar Buzanin me të vëllanë pranë autoblindës së djegur të gardistëve. Sipas tij, vëllezërit Buzani po flisnin me njëri-tjetrin se kush e kishte qëlluar mbi blindin. Në vijim Xhepexhiu deklaroi se kishte shkuar në një shtëpi aty pranë ku po mbaheshin peng dy prej gardistëve. Gjithashtu ai kishte parë një tjetër peng në një shtëpi tjetër aty pranë. Në rrëfimin e tij para togave të zeza, Xhepexhiu u shpreh se atë ditë një prej mjekëve të spitalit të Cërrikut i kishte kërkuar atij ndihmë. Ndihma ishte për të zmbrapsur persona të armatosur të futeshin në spital, ku po kuroheshin gardistët e armatosur. Gjithashtu Xhepexhiu dëshmoi se kishte shkuar te shtëpia e kryetares së Bashkisë së Cërrikut. Aty ai ka mësuar se presidenti i atëhershëm i Republikës, Sali Berisha, kishte marrë dijeni për ngjarjen. Sipas Xhepexhiut, në një bisedë telefonike që kryetarja e bashkisë kishte konsumuar me presidentin, ky i fundit i kishte pohuar se urdhri për dërgimin e gardistëve në Cërrik ishte dhënë prej tij. “Masakra e Cërrikut” ka ndodhur në 23 mars të vitit 1997. ar.ba