Grabitje me dhunë në mes të Tiranës
TIRANE - Një 50-vjeçar është grabitur me dhunë vetëm disa metra larg qendrës së Tiranës. Viktima është përballur me dhunë fizike teksa kthehej në shtëpi dhe më pas edhe me plaçkitje. Sipas një njoftimi për shtyp nga policia e Tiranës, mësohet se oficerët e Seksionit Kundër Vjedhjeve me Dhunë dhe Armë e të Shkatërrimit të Pronës, kanë marrë dje një kallëzim nga një qytetar i kryeqytetit, i cili tregonte se ishte sulmuar nga një person, teksa kalonte në lulishten përballë “Pallatit të Kongreseve”, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Pasi e kishte rrahur me grushte e shqelma, ai i kishte marrë shumën e parave prej 70 mijë lekësh të vjetra, që ai kishte me vete. Policia është vënë në ndjekje të autorit dhe brenda disa orësh ka bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e tij. Sipas policisë, i dyshuari kryesor i kësaj ngjarje është 31-vjeçari Armand Sefa, i cili është arrestuar me akuzën e vjedhjes me dhunë. Nga hetimet rezultoi se Sefa, nën ushtrimin e dhunës fizike, ka arritur të grabisë qytetarin e pambrojtur dhe më tej është zhdukur në drejtim të paditur, në përpjekje për t’i shpëtuar prangave të policisë.