E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhduken autorët, policia kërkon dëshmitë e punëtorëve të tregtarit

 

TIRANE - Për policinë duket se nuk do të jetë i lehtë identifikimi dhe kapja e autorëve të vjedhjes së 180 mijë eurove në shtëpinë e biznesmenit Ilirian Çela. Edhe pse ngjarja ka ndodhur në mes të ditës, pranë policisë dhe në një zonë mjaft të banuar, askush nuk ka parë diçka të dyshimtë që të jetë në gjendje të identifikojë autorët e vjedhjes. Policia ka marrë deklarime nga disa banorë të pallatit nëntë-katesh, por nuk ka siguruar asnjë të dhënë për autorët. Sipas deklarimeve të tyre, në atë orar që ka ndodhur vjedhja, në pallat hyjnë dhe dalin persona të ndryshëm, që edhe mund të mos banojnë aty, pasi ka zyra të aktiviteteve të ndryshme dhe lëvizje të tilla kryhen çdo ditë. Kjo ka qenë edhe arsyeja që autorët janë larguar qetësisht pa u vënë re nga askush. Ndërkohë policia pritet të marrë në pyetje edhe punonjës të firmës “EURO AL MAGJ” të biznesmenit Ilirian Çela, pasi dyshimet e para të policisë për këtë ngjarje janë hedhur mbi persona të njohur të biznesmenit, që mund të kenë dijeni rreth aktivitetit, shtëpisë dhe shumës së parave që ai mbante në kasafortë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›