Fier, zbulohet nën makinë pako me eksploziv
FIER - Zbulohet nën sediljen e një makine një sasi eksplozivi me shpërthim të telekomanduar. Një banor i qytetit të Fierit denoncoi në polici ngjarjen, pasi gjeti lëndën plasëse, të instaluar në makinën e tij. Sipas policisë, Edmond Liçaj, 32 vjeç ka pohuar se mbrëmjen e së hënës ai ndodhej në një lokal shumë pranë qendrës së qytetit, ku kishte parkuar dhe makinën e tij, tip “Benz” me targë FR 0214 C. Liçaj ka treguar se makinën e kishte lënë me derë hapur dhe kur ka hipur në të ka vënë re se sedilja nuk ishte në rregull dhe diçka kishte ngecur nën të. Ai ka ulur kokën për të parë se çfarë kishte, kur ka parë një pako të dyshimtë. Menjëherë ka dalë nga makina, duke njoftuar policinë. Forca të komisariatit rrethuan zonën përreth makinës, ndërsa specialistët xhenio kanë nisur të ekzaminojnë pakon. Brenda saj ka rezultuar se ndodhej një sasi eksplozivi, e përshtatur me ndezës me bateri si dhe me aparat telefoni celular. Pako është dërguar për analiza të mëtejshme në laborator, ndërsa nisën hetimet për të zbardhur shkaqet e vendosjes së saj. Sipas policisë Liçaj nuk ka pohuar të ketë konflikte me njeri. Ai kishte në pronësi një dyqan të vogël, rivaliteti për të cilin mbetet dyshimi kryesor. m.r