Përrenjtë vërshojnë në varreza, panik për eshtrat
BERAT/ DILAVER XHELILI
Në Berat nuk ka më vend për të vdekurit. Dy varrezat e këtij qyteti, “Burdulliasi” dhe “Suelasi” nuk kanë më hapësira. Të ndodhur në këto kushte, banorët janë detyruar të varrosin të afërmit e tyre ndërmjet varreve. Situata më e rëndë paraqitet te varrezat e “Suleasit”. Me qëllim zgjerimin po shfrytëzohet një sipërfaqe tokë arë. Por ajo përmbytet sa herë bie shi nga përrenjtë, çka rrezikon që eshtrat të nxirren në sipërfaqe apo akoma më keq, të rrëmbehen nga uji. Mungesa prej vitesh e fondeve për të blerë tokë për dy varrezat e qytetit, të cilat ndodhen në lagjet “Çlirimi” dhe “Donika Kastrioti”, ka vënë në vështirësi edhe pushtetin vendor. Të ndodhur përballë këtij realiteti, si dhe ankesave të familjarëve, ata janë munduar të bëjnë zgjidhjet më të mira të mundshme, duke kërkuar nga administratorët e firmave që të shfrytëzojnë hapësirat midis varreve dhe rrugëve të brendshme të tyre. Ndërsa në varrezat e “Burdulliasit” vazhdon praktika e shfrytëzimit të atyre pak hapësirave të ngelura, në varrezat e “Suelasit”, me qëllim shtimin e sipërfaqes është shfrytëzuar një sasi toke pronë shtetërore duke e zgjeruar atë në juglindje të varrezave ekzistuese. Kjo sipërfaqe e dalë jashtë murit rrethues më parë ka qenë tokë arë. Duke qenë në një ultësirë që vjen nga gryka e një kodre, të afërmit e të ndjerëve i tremben përmbytjes së varrezave nga dherat, si dhe ujërat e përrenjve, të cilat në stinën e dimrit kanë shumë prurje. Tashmë në këtë arë, që në stinën e dimrit përshkohet nga ujërat e përrenjve, do të prehen trupat e banorëve të Beratit. Përkundër shqetësimit të qytetarëve, autoritetet përgjegjëse në bashkinë e Beratit dhe pronari i njërës prej firmave të mirëmbajtjes së varrezave shprehen se kjo sipërfaqe nuk është e përshtatshme. Sipas tyre, do të merren masa duke krijuar prita dhe kanale kulluese për të shmangur rrezikun e përmbytjes së varreve. Gëzim Kalliçi, specialist i shërbimeve në bashki, shprehet se hapësira e re nuk është e përshtatshme, por bashkia shumë shpejt do të çelë një fond për ta sistemuar me kanale nëntokësore. Nëpërmjet një tubi me diametër të madh, të gjitha ujërat e grumbulluara do të kalojnë nën tokë dhe prej andej do të derdhen jashtë varrezave. “I vetmi problem për varrezat e “Suelasit” ngelet rrethimi i sipërfaqes shtesë. Ndërsa lidhur me varrezat e “Burdulliasit”, në vitin 2006 është bërë shpronësimi i 2300 m2 tokë. Për këtë bashkia i ka kërkuar Ministrisë së Brendshme akordimin e një fondi për blerjen e saj, kërkesë që nuk është marrë në konsideratë” u shpreh Kalliçi. Mësohet se ministria ka kërkuar që fondet për blerjen e kësaj toke të sigurohen nga vetë bashkia. Por ajo me të ardhurat që siguron e ka të pa mundur blerjen e tokës për varreza.