E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festohet në Tiranë dita kombëtare e Italisë

Ambasada Italiane në Tiranë ka festuar pasditen e djeshme ditën kombëtare të Italisë. Ndërsa në Itali është zhvilluar një paradë për festën kombëtare të 2 qershorit, përfaqësia e saj diplomatike në Tiranë ka organizuar një ceremoni. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i ka dërguar një mesazh urimi Presidentit të Republikës Italiane, Xhorxho Napolitano, me rastin e festës kombëtare. "Festa kombëtare e Republikës Italiane më jep kënaqësinë e veçantë që t‘ju përcjell Juve dhe nëpërmjet jush, popullit mik italian, urimet e mia më të sinqerta e miqësore për lumturi e begati", shprehet Topi në mesazhin e tij të urimit. Duke vlerësuar lart mbështetjen që Italia vazhdon t‘i japë Shqipërisë në hapat e saj drejt integrimit euroatlantik, si dhe në përfshirjen e saj sa më të shpejtë në familjen evropiane, Presidenti Topi i ka shprehur homologut të tij italian se dëshiron që të vazhdojë angazhimin për të ecur me vendosmëri drejt kësaj rruge. "Me këtë rast, shpreh bindjen se niveli i shkëlqyer i marrëdhënieve midis dy popujve dhe vendeve tona, të bazuara në lidhjet tradicionale historike dhe kulturore, do të forcohen dhe zhvillohen më tej në të ardhmen, në interes të bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat", tha Topi. Nga Roma, kreu i Italisë, Napolitano, ka theksuar se vlera e Kushtetutës është e nevojshme për ecurinë e vendit. "Kanë kaluar 63 vjet nga 2 qershori i 1946-ës, por ato vlera të Kushtetutës janë sot edhe më udhëheqëse për ndërtimin dhe prosperitetin e Italisë", tha Napolitano gjatë ceremonisë së paradës së zhvilluar në Romë. Forcat e Armatosura kanë bërë një paradë në sheshin e Romës për nder dhe respekt të 2 qershorit, që përkon me festën kombëtare të Italisë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›