Feston Vëllaznimi

Drita e ka humbur pozitën e parë të renditjes tabelore, në të cilën tani gjendet Prishtina. Kjo pasi gjilanasit të dielën kanë pësuar humbje në Gjakovë me rezultat 2:1 nga Vëllaznimi, në derbin e xhiros së pesëmbëdhjetë të Superligës së Kosovës në futboll, e cila kishte mbledhur numër të madh shikuesish, që krijuan atmosferë të zjarrtë në stadiumin e këtij qyteti.
Hero i gjakovarëve ishte Fatih Karahoda, i cili i shënoi të dyja golat e fitores për ekipin e tij. Sulmuesi i rrezikshëm golin e parë e shënoi me kokë në minutën e 67-të për ta kaluar Vëllaznimin në avantazh prej 1:0. Mirëpo, gjilanasit ia dolën t’i barazojnë shifrat në 1:1 në minutën e 80-të me një super-gol që e shënoi Samir Ramizi. Por, pesë minuta më vonë, kuqezinjtë e shënuan golin e fitores. Realizues edhe i këtij goli ishte Fatih Karahoda, me kokë. Me këtë fitore, Vëllaznimi i ka barazuar pikët me Dritën, të cilat i kanë nga 29 sosh.
Gjilani – Trepça ’89 0:0
Kandidati për titull të kampionit, Trepça ’89 ka vazhduar me barazime. Mitrovicasit nuk kanë mundur ta fitojnë më shumë sesa një pikë si mysafirë të Gjilanit, pasi përballja mes tyre ka përfunduar pa gola. Gjilanasit janë treguar më të rrezikshëm gjatë pjesës së parë, derisa në 45 minutat e dytë forcat ishin më të baraspeshuara.
Kështu, pavarësisht shanseve të mira, asnjëri ekip nuk ia ka dalë të realizojë gol. Me këtë barazim, Trepça ’89 vazhdon të pozicionohet në vendin e katër në renditjen tabelore me 25 pikë, derisa gjilanasit janë ngjitur në kuotën e 15 pikëve.
Hysi – Drenica 1:0
Hysi i është rikthyer fitoreve. Bardhezinjtë kanë dominuar përballë Drenicës, por të cilën nuk ka mundur ta mposht me rezultat më të thellë sesa 1:0. Hero i llapjanëve ishte kapiteni i tyre, Mentor Zhdrella, i cili e shënoi golin e vetëm dhe të fitores për ekipin e tij në minutën e 6-të nga një goditje dënimi.
Me këtë fitore, Hysi është ngjitur në kuotën e 24 pikëve, gjashtë më pak se lideri Prishtina, derisa Drenica me 13 pikë pozicionohet në vendin e parafundit të renditjes tabelore.
Lepenci – Liria 2:1
Lepencit i është dashur të shpenzojë shumë energji për ta mposhtur Lirinë. Në fakt, rreth tre mijë tifozë kaçanikas i ka heshtur Egzon Dobroshi, i cili në minutën e 62-të e kaloi ekipin prizrenas në avantazh prej 0:1. Pas këtij goli të pësuar, vendasit u hodhën në sulm për ta nxjerrë një rezultat pozitiv nga kjo sfidë, dhe me sukses e arritën objektivin.
Në vazhdim të ndeshjes, ata ia dolën t’i realizojnë dy gola, për t’ia siguruar tri pikë të reja skuadrës së tyre, Lepenci. Rezultatin në 1:1 e barazoi Shpend Bela në minutën e 75-të, derisa pesë minuta më vonë, Xhevdet Shabani ia doli ta shënojë golin e fitores për Lepencin.
Besa – KEK-u 1:1
Skuadra e fundit e tabelës, KEK-u, e ka fituar një pikë në Pejë në duel me Besën, ndeshje kjo e cila ka përfunduar me rezultat 1:1. Elektricistët kanë kaluar në avantazh prej 0:1 në minutën e 22-të nëpërmjet Florim Bërbatovcit.
Ndërsa, prej shumë rasteve të krijuara, Besa e ka konkretizuar vetëm një, duke ia dalë ta barazojë rezultatin në 1:1 në minutën e 79-të nëpërmjet Kushtrim Gashit.
Tabela ND GD PI
1. Prishtina 15 11 30
2. Drita 15 11 29
3. Vëllaznimi 15 5 29
4. Trepça ’89 15 5 25
5. Hysi 15 7 24
6. Besa 15 -1 19
7. Trepça 15 -1 19
8. Lepenci 15 -3 19
9. Gjilani 15 -8 15
10. Liria 15 -10 14
11. Drenica 15 -6 13
12. KEK-u 15 -10 11