E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrezikohen përplasje mes turmave në Fier e Shkodër

02/07/2009  KQZ mbledhje urgjente. Deputetja Bulku shpëton prej incidentit

Reagimet e politikës ndaj numërimit të votave ka sjellë përplasje mes turmave, duke rrezikuar jo vetëm standardet. Nën argumentin e mbrojtjes së votës, partitë kanë thirrur elektoratin e tyre në shesh. Kështu, ndërsa socialistët kundërshtuan dërgimin e kutive të votimit të disa qendrave për numërim në KQZ, mbështetësit e tyre kanë mbërritur menjëherë në KZAZ, duke bllokuar edhe makinat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Duke parë këtë reagim, edhe mbështetësit e demokratëve janë grumbulluar pranë selisë së partisë së tyre në Fier, duke brohoritur për rezultatin e arritur. Nga ana tjetër, edhe përfaqësuesit e partisë së çamëve kanë hedhur akuza për tjetërsimin e votës, por pa kërkuar një acarim të situatës. Situata ka rezultuar tejet e tensionuar në Fier, ku procesi i numërimit të votave ka qenë thuajse i ndërprerë gjatë gjithë ditës. Kjo përplasje ka sjellë dhe një mbledhje urgjente të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve vetëm 20 minuta para mesnatës. Ndërkohë edhe në KQZ u pa një përplasje mes të dy palëve, pasi njëra palë ishte për numërimin e fletëve të votimit të Fierit në KQZ dhe pala tjetër për zhbllokimin e situatës në komisionin zonal zgjedhor.

Kështu Dëshira Subashi e ka cilësuar të papranuar situatën duke kërkuar ndërhyrjen e policisë dhe nisjen e numërimit prej komisionerëve. Ndërsa kreu i KQZ Ristani është shprehur se anëtarët e KZAZ në Fier nuk kishin mundësi të punonin për shkak të presionit të krijuar prej turmave dhe të pamundësisë së ndërhyrjes së policisë pa një kërkesë të vetë Komisionit Zonal. Në këtë situatë dhe vetë KQZ pas një debati të gjatë e ka marrë vendimin me vota të ndara për të lejuar numërimin e kutive të votimit në Tiranë. Kjo si për faktin se procesi do të ishte më i sigurtë në KQZ por dhe më transparentë për shkak se në KQZ dhe media është më e përqendruar në Tiranë.

Ndërkohë që dhe kandidatja Rajmonda Bulku për pak i ka shpëtuar një përplasjeje me turmën ndërsa kishte shkuar në zonë për të ndjekur situatën.

Gjithsesi sot pritet që KQZ ti japë rrugën përfundimtare atyre pak kutive të votimit që kanë mbetur por që do të jenë vendimtare nëse e majta dhe e djathta do kenë nga 70 vota apo njëra palë do të ketë dhe një votë sigurie më shumë.

E njëjta situatë ka qenë dhe në Shkodër, ku numërimi i 19 kutive të fundit ka sjellë një tensionim të madh të situatës. Madje, në një çast është dashur dhe ndërhyrja e forcave të policisë për të shmangur një konflikt apo prishje të kutive të votimit. Tensioni më i fundit ka qenë kur një përfaqësues i një prej komunave të Shkodrës ka kërkuar mbrojtjen e një prej fletëve të votimit, duke sjellë kështu një përplasje të fortë mes palëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›