Fetai, drejt Gjermanisë

E ardhmja e Bajram Fetait pritet të dihet shumë shpejt. Futbollisti shqiptar po stërvit me FC Midtjylland, pasi u largua nga FC Nordsjaelland në muajin dhjetor të vitit që shkoi.
Sipas medieve daneze, e ardhmja e përfaqësuesit maqedonas do të jetë futbolli gjerman, ku duket se sulmuesi shqiptar ka arritur marrëveshje me një klub të Bundesligës gjermane.
“E di se do ta gjej klubin e ri shumë shpejt. Nuk mund të flas më shumë, por jam i sigurt se do të luaj në një kampionat më të fortë se ai i Danimarkës”, ka thënë 25 vjeçari për ueb faqen daneze tipsbladet.dk.
“Kampionati gjerman është zhvilluar mjaft dhe kam dëgjuar për interesimin e disa skuadrave gjermane për mua. Menaxheri im kishte kontakte pozitive me këto klube dhe mendoj se do të jetë një eksperiencë pozitive”, vazhdoi ai.
Kohë më parë, për Fetain interesim kishte shfaqur klubi anglez nga League One (liga e tretë angleze) Southampton, por në fund nuk kishte asgjë konkrete.
“Kam biseduar me Southampton, por nuk ka ndodhur asgjë. Unë preferoj të luaj në jug. E kam eksperimentuar kulturën britanike, kur kam luajtur në Glasgow Rangers. Mendoj se në Southampton zhvillohet lojë e shpejtë për mua. Dëshiroj të luaj në një kampionat ku loja zhvillohet përtokë”, shtoi Fetai i cili po stërvit fort për ta mbajtur formën që të jetë i gatshëm për eksperiencën e radhës.
“Mezi po pres që ta filloj një eksperiencë në një kampionat të ri me lojtarë të rinj. Po mundohem të arrij në një vend ku kundërshtarët e mi nuk më njohin dhe ku do të mund ta shfaqja talentin tim”, përfundoi reprezentuesi i Maqedonisë.