Gjithçka ka ndryshuar me Leonardon

Mbrojtësi i djathtë i Interit, Douglas Maicon ka thënë se gjërat kanë ndryshuar pas ardhjes së Leonardos në postin e trajnerit.
Nerazzurrët kanë fituar pesë ndeshje të njëpasnjëshme nën drejtimin e strategut brazilian dhe paraqitjet e tyre janë përmirësuar dukshëm.
“Prej kur erdhi Leonardo, gjerat kanë ndryshuar shumë.Atmosfera është e mirë”, tha Maicon për FIFA.com.
“Ai ka qenë në gjendje të aplikojë idetë e tij, pavarësisht se nuk është këtu për një kohë të gjatë dhe të gjithë kanë kuptuar atë që ka thënë. Nuk jam vetëm unë, të gjithë ndihen më të motivuar pas ardhjes së tij. Të gjithë jemi të bashkuar dhe do të japim maksimumin për t’i ndihmuar të bëjë një punë të mirë”, shtoi reprezentuesi brazilian.
Përveç të tjerëve, Maicon në veçanti dukej hije e vetes së tij pas triumfit të trefishtë sezonin e kaluar, por është rikthyer në formë të mirë pas ardhjes së bashkëkombësit të tij në detyrën e trajnerit.
“Ne ishim të befasuar me largimin e Benitezit, edhe pse fituam Kampionatin botëror të klubeve. Ndoshta ai bëri diçka që drejtorëve nuk u pëlqeu dhe me çka nuk ishin të kënaqur as tifozët. Por, nuk dua të përfshihem në këtë. Ajo çfarë dua tani është të kaloj një sezon të mirë me Leonardon”, përfundoi Maicon.