E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vasili: Tolerancë zero për mjekët e infermierët sekserë

 

Tolerancë zero ndaj çdo mjeku dhe infermieri që do të luajë rolin e sekserit me pacientët. Bluzat e bardha që do të drejtojnë të sëmurët për ekzaminime në klinika private do të penalizohen. Këtë paralajmërim bëri dje Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, gjatë një takimi me drejtuesit e shërbimit shëndetësor parësor.
“Shkelje të tilla do të marrin dënimin e merituar. Kjo është një kauzë e humbur për cilindo“, tha ministri. Sipas tij, respektimi i këtyre dy detajeve dhe kuptimi në të gjithë elementët e sistemit të referimit janë mjaft të rëndësishme që puna e përditshme të shkojë mbarë derisa shërbimi të jetë atje ku duhet. Ndërkaq përdorimi i një komunikimi jo profesional ndaj pacientëve do t’u kushtojë shtrenjtë bluzave të bardha. Sipas Ministrit të Shëndetësisë kjo është një çështje mjaft e rëndësishme. Në fakt jo pak herë gjuha e profesionistëve lë për të dëshiruar. Por nuk duket se është ky problemi më madhor. Për pacientët nuk ka fort rëndësi në është gojëmbël mjeku që do t’u bëjë vizitën. Mjafton të mos presin dy orë në radhë përpara derës, ashtu siç ndodh rëndom në spitalet e poliklinikat tona. Shmangia e radhëve dhe vendosja e rregullave për oraret e mjekëve do të jenë pjesë e ndërhyrjes së Ministrisë së Shëndetësisë në një tjetër fazë. `Fjala shëron` do të jetë motoja e shërbimit tonë duke mos lejuar që asnjë pacient të dalë i lënduar nga gjuha e keqe e kujtdo”, tha Vasili. Që prej disa javësh në spitale ka nisur të zbatohet sistemi i referimit. Asnjë pacient nuk pranohet të kryejë një konsultë në spital pa rekomandimin e mjekut të familjes. Në të kundërt duhet të paguajë një tarifë që varion nga 2000-4000 lekë. Ministria e Shëndetësie e cilëson këtë si një nga reformat më të rëndësishme në shëndetësi. Kreu i këtij dikasteri Petrit Vasili ka paralajmëruar gjithashtu se do të lënë vendin e punës të gjithë mjekët që nuk kanë formimin e duhur profesional. Nga viti që vjen do të nisë procesi e edukimit të vazhdueshëm të tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›