Rama: Zbatohet statuti për ata që hyjnë në Kuvend
Kreu socialist Edi Rama, i ftuar në emisionin “5 Pyetje” nga Babaramo, në News 24, tha dje se nëse deputetët do të thyejnë vendimin e bojkotit, ata do të përjashtohen. Rama ritheksoi kërkesën e PS-së për hapjen e kutive të votimit, si kusht për t’u kthyer në kuvend.
Zoti Rama, pse humbët në zgjedhjet e 28 qershorit?
Zgjedhjet e 28 qershorit dolën jashtë standardeve dhe janë shprehje e një deformimi të rëndë dhe për këtë PS është jashtë Parlamentit, duke kërkuar plotësimin e disa kushteve përmes të cilave kërkon të vendosë legjitimitetin e zgjedhjeve. Ne nuk i njohim si proces normal dhe demokratik.
Ju i keni vlerësuar pjesërisht zgjedhjet e 28 qershorit?
Zgjedhjet kanë një pjesë të parë, sa i takon ecurisë së votimit, që për ne konsiderohet pozitiv, dhe kanë pjesën e dytë, atë të numërimit të votave, që rezultoi negativ dhe me një pakt dramatik për demokracinë në vend.
Ju vazhdoni të bojkotoni dhe të kontestoni rezultatin, ndërkohë që opozita juaj e katër viteve të shkuara ka qenë shumë paqësore, ala Miterran?
Ne duam t’i japim përgjigje pyetjes se çfarë e çoi pushtetin dhe Sali Berishën deri në këtë akt kundër interesave të vendit dhe në konflikt të hapur me interesat e njerëzve, siç është deformimi i zgjedhjeve për të mbajtur pushtetin e tij? Ne shohim konfliktin e familjes dhe shërbëtorëve të tyre me interesat e vendit. Ky është një konflikt që jo vetëm degradoi procesin zgjedhor, por është edhe ky konflikt që opozita duhet ta zgjidhë duke reaguar me forcë, në mënyrë këmbëngulëse, konstante dhe në mënyrë themelore, çështjen e transparencës së zgjedhjeve, nga burojnë të gjitha institucionet e tjera që drejtojnë vendin. Jemi në një proces të përditshëm degradimi të shtetit dhe të institucioneve të tij, me qëllim përvetësimin e pasurisë shtetërore. Ne kërkojmë hapjen e të gjitha kutive ku ne gjykojmë se duhet hetuar, qoftë për votat në kuti, qoftë për materialin zgjedhor. Është për të ardhur keq që Berisha dhe zëdhënësit e tij, Ilir Meta me kompani kapen dhe fshihen pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese për komisionet hetimore.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk lejon gjykimin e vendimit të gjykatave...
Ligji nuk e ndalon hapjen e kutive, ligji e lejon hapjen e kutive. E të gjitha kutive kur një komisionin parlamentar hetimor do kërkojnë të hetojë dhe në fund të kenë të gjithë përfitim sepse do të bëjmë njëherë e mirë transparencën e një procesi zgjedhor të deformuar.
Deri kur do të vazhdojë bojkoti..deri në zgjedhjet e 2011?
Kryeministri është larg së qëni zot i këtij populli. Ai është një funksionar përfaqësues i një pjese, i cili sot është i akuzuari kryesor i deformimit të mandateve të një populli dhe ai nuk mund të vendosë kushte apo refuzim të një përpjekjeje të opozitës për transparencën e zgjedhjeve. Nuk do t’i përgjigjemi logjikës dhe kërkesës së Kryeministrit, pasi të drejtat tona janë të panegociueshme.
Disa deputetë socialistë janë shprehur se do të hyjnë në parlament për të mos djegur mandatin e tyre. Cili është qëndrimi juaj?
Flasim për çështje që janë vërtet të rëndësishme për të gjithë shqiptarët. Përsa i përket emërtimeve që ju vendosen për lehtësi komunikimi nga mediat të disa individëve nuk janë çështje të një rëndësie të dorës së parë. Natyrisht që unë dhe PS jemi në vëmendjen maksimale të dëgjojmë këdo, kudo ku ai zë ngrihet. Kjo nuk do të thotë se në rastin konkret kemi grupe, lëvizje etj. Në PS rregullat janë të qarta dhe vendimi i bojkotit është i marrë nga gjithë grupi parlamentar dhe është e qartë se çfarë nënkupton ky vendim për të gjithë grupin parlamentar socialist.
Çfarë parashikohet të ndodhë nëse ata hyjnë në Parlament?
Rregullat janë të përcaktuara në statut. Në PS nuk ka ne dhe ata. Në PS ka një kohezion shumë të qartë lidhur me momentin politik dhe vendimmarrjen politike. Individët e caktuara në një moment të caktuar nuk ka arsye t’i kategorizoni me ‘ata’. PS është e vendosur në këtë proces dhe për ta çuar përpara këtë proces.