E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura, del udhëzimi, sa pikë do të kenë katër testet

• Përcaktohet numri i pyetjeve për provimet e Maturës Shtetërore. Ministria e Arsimit ka publikuar dje udhëzimin përkatës që saktëson edhe raportin mes pikëve për secilin lloj.

zirina llambro

Kështu testi për secilin nga provimet e detyruara (Matematikë dhe Gjuhë-letërsi) do të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 pyetje me përgjigje alternative që do të vlerësohen në total me 13 pikë nëse janë të sakta dhe 12 pyetje me zhvillim. Nëse maturanti nuk gabon për këtë kategori përgjigjesh do të marrë 37 pikë. "Për çdo provim të detyruar, një maturant duhet të marrë maksimumi 50 pikë", thuhet në udhëzimin e MASH-it. Sakaq testet e provimeve me zgjedhje do të përmbajnë për secilën lëndë 20 pyetje, nga të cilat 10 me alternativa dhe 10 pyetje me zhvillim. Për secilin prej tyre kandidatët për në shkollat e larta duhet të grumbullojnë maksimalisht 40 pikë. Kjo pasi, sipas udhëzimit në test i është dhënë prioritet pyetjeve me zhvillim, të cilat nëse kanë përgjigje të sakta do të vlerësohen me 30 pikë, ndërsa ato me alternativa në total kanë 10 pikë. Pra për të njëjtin numër pyetjesh raporti i vlerësimit është 3 me 1. Sa i përket kohëzgjatjes, është përcaktuar që në dispozicion të maturantëve për secilin nga provimet e detyruara të jenë 2 orë e 30 minuta. Ndërsa për provimet me zgjedhje, ndryshe nga vjet, për plotësimin e testeve kandidatët për në shkollat e larta do të kenë 4 orë kohë. MASH ka përcaktuar tashmë datat e provimeve, të cilat janë të ndryshme për ato me detyrim. Dy lëndët me zgjedhje që janë vendimtare për t'u pranuar në shkollat e larta do të jepen në të njëjtën ditë. Këtë vit përjashtohen automatikisht nga Matura Shtetërore mbetësit në një nga lëndët e gjimnazit. Provimet e detyruara ata mund t'i japin në vjeshtë, por nuk kanë shansin për të nisur këtë vit një shkollë të lartë, pasi lëndët me zgjedhje jepen vetëm një herë në vit në të gjithë vendin. Siç është vendosur disa javë më parë, nxënësit që në vitet shkollore 2005-2006 dhe 2006-2007 kanë marrë notë kaluese vetëm në njërën nga provimet e detyruara, e ruajnë këtë notë edhe këtë vit dhe nuk e jep sërish këtë lëndë, por vetëm atë ku ka rezultuar mbetës. Në udhëzimin e ministrisë është vendosur si kusht edhe ripërsëritja e provimeve me zgjedhje për maturantët që i kanë dhënë vjet ato, por nuk janë regjistruar në asnjë prej shkollave të larta. Pjesë e këtij procesi ata duhet të bëhen në rast se duan të nisin universitetin këtë vit. MASH ka përcaktuar edhe kriteret për maturantët që kanë përfunduar jashtë vendit shkollën e mesme dhe duan të rikthehen këtu për të nisur shkollën e lartë. Ata duhet të dorëzojnë brenda datës 20 prill një sërë dokumentesh pranë këtij dikasteri. Një komision i posaçëm do të bëjë ekuivalentimin e diplomave të tyre. Në periudhën njëjavore 2-7 qershor, të gjitha shkollat duhet të zhvillojnë konsultime me nxënësit për dy provimet e detyruara.

Pyetjet e testeve

Provimet e detyruara
(Matematikë dhe Gjuhë-letërsi) 25 pyetje: 
13 me alternativa (13 pikë) 1
12 me zhvillim (37 pikë).
Në total  maturanti duhet të marrë 50 pikë
Kohëzgjatja 2 orë e 30 minuta.

Provimet me zgjedhje
Secila lëndë 20 pyetje:
10 pyetje me alternativa (10 pikë)
10 pyetje me përgjigje (30 pikë).
Në total një maturant duhet të marrë 40 pikë 
Kohëzgjatja 4 orë.

Datat e provimeve të maturës
Maturantët do ta mbyllin vitin e fundit shkollor më 30 maj, për t'iu përkushtuar totalisht provimeve të Maturës Shtetërore. Provimin e parë të detyrueshëm (Letërsia dhe Gjuha shqipe) maturantët e shkollave të mesme të përgjithshme do ta japin më  datë 9 qershor. Testimit të matematikës do t'i nënshtrohen më 17 qershor, ndërsa lëndët me zgjedhje në të gjithë vendin do të jepen më datë 10 korrik. Ministria ka publikuar data të veçanta edhe për kategoritë e tjera të shkollave të mesme, ku përfshihen ato të gjuhëve të huaja, teknike-ekonomike, teknike-profesionale apo dhe shkollat e mesme pedagogjike për minoritetin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›