E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fetel Pole ne Bahrein

Një luftë e fortë përfundoi me fitoren e kampionit, ndonëse beteja e vërtetë do të jenë në garë. Sebastian Fetel zuri vendin e parë në provat zyrtare të Çmimit të Madh të Bahreinit në Formula 1, duke u tregua më i fortë sesa konkurrenca e ashpër e rivalëve.

Menjëherë pas gjermanit të Red Bullit u rendit anglez Ljuis Hamilton i Meklaren Mercedesit, ndërsa këto dy skuadra dominuan garën për “pole position”. i treti u rendit, shoku i Fetelit, pra australiani Mark Ueber, ndërsa në vend të katërt anglezi tjetër, Xhenson Baton i Meklaren Mercedesit.

Fetel dha kohën 1’32”3422, ndërsa Hamilton, kryesuesi i deritanishëm i kampionatit botëror, mbeti vetëm 98 të mijtat pas kampionit. Diferenca kohore mes 7 vendeve të para ishte vetëm gjysmë sekondi, pra konkurrenca ishte tepër e fortë.

Fituesi i garës së Kinës, Niko Rosberg i Mercedesit doli në vendin e pestë, ndërsa shoku i tij i skuadrës, 7 herë kampioni i botës, Mikael Shumaher mbeti jashtë 10 vendeve të para, duke përfunduar i 18-ti me më shumë se 2 sekonda vonesë me kreun.

Fitorja e Fetelit ishte e 31-ta në karrierë në provat zyrtare, ndërsa kishte dështuar në të tria garat e mëparshme të këtij sezoni. Sezonin e kaluar, gjermani arriti numrin rekord të 15 “pole position”, ndërsa ai mbetet pretendent për titullin kampion edhe këtë vit.
Mjaft dobët dolën makinat Ferrari, me Fernando Alonson që u rendit vetëm i 9-ti dhe Felipe Masën në vendin e 14-të.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›