Barça-Real, provë titulli në Kamp Nou
Superndeshja numër 219 ka në dorë fatet e kampionatit spanjoll.
Mesi kundër Ronaldos, e gjithë bota me sytë në Katalunjë.
Klasikja e gjashtë e sezonit ndryshe nga ato që mund të kemi parë këto vitet e fundit, luan titullin në Spanjë. Sot në orën 20:00 në Kamp Nou luhet El Clasico i 11-të në më shumë se një vit. Nuk është absolutisht risi që trajneri i Realit fshihet si rëndom këto ndeshjet e fundit, duke mos dalë në konferencë për shtyp. Reali nuk humbet në kampionat pikërisht prej sfidës së fundit me katalanasit në dhjetor të 2010-s, por në këta katër muaj ka parë që diferenca prej +10 pikësh me rivalët të ngushtohet në vetëm 4. Numri që lë shenjë në përballjen e 219 mes gjigantëve të futbollit spanjoll, është numri 4. Sepse, nëse Barcelona sot nuk do ta arrinte ta mposhte Realin, do të thotë që Guardiola do të humbasë titullin e parë në 4 vitet e tij në stolin e skuadrës. Deri tani, në karrierën e tij të shkurtër, por me palmaresin plot (13 trofe), tekniku katalanas ka arritur gjithnjë të shpallet kampion në Kamp Nou. Sakaq në 5 klasiket sezonale (2 në Superkupën e Spanjës, 1 në La Liga dhe 2 në Kupën e Mbretit), të besuarit e Murinjos nuk kanë fituar kurrë: kanë arritur vetëm 2 barazime dhe 3 humbje nga 5 të tilla gjatë gjithë sezonit (2 të tjerat kanë ardhur me Levanten dhe Bajernin e Mynihut në Champions). Ndërsa kampionët e Spanjës dhe Evropës vijnë pas 11 fitoresh radhazi në kampionat, por dhe një hapi fals në Stamford Bridge, 1-0 me Çelsin ditën e mërkurë. Speciali duhet të vendosë nëse do të luajë me 3 mesfushorë defensivë, duke i hequr pluhurin të harruarit Las Diarra për të thyer tiki takat e Mesit me shokë. Ndërsa kokëçarjet e Pep janë vetëm se cili do të jetë partneri i Mesit në sulm dhe çfarë të bëjë me Pikenë, që në Londër u ul në stol dhe me të cilin nuk gëzon më marrëdhënien e dikurshme. E meqë ra fjala, të dyja skuadrat do të vijojnë ritualin e zakonshëm sa herë përballen me njëra-tjetrën. Si Reali ashtu edhe Barça udhëtojnë drejt Barcelonës apo Madridit ditën e ndeshjes dhe kthehen menjëherë në shtëpi, duke mos preferuar ta kalojnë natën në kampin kundërshtar. Ndërkohë Murinjo ka fituar vetëm 1 nga 11 klasiket e diskutuara (ajo është finalja e Kupës së Mbretit, edhe atë në kohën shtesë): Pep nga ana tjetër, kundër Realit përjashto këtë humbje, ka arritur 9 fitore dhe 4 barazime. Mes lojtarëve rivaliteti nuk do jetë vetëm mes Mesit dhe Ronaldos. Sot do të ketë betejë edhe mes 20 lojtarëve të tjerë. Pujol feston ndeshjen e 25-të përballë mbretërorëve. Ndërsa senatorët Iker Kasijas dhe Ksavi Hernandez përballen për të 30-ën herë mes tyre. Tani vjen radha e zotërinjve të golave: Mesi dhe Ronaldo do luftojnë si çdo sezon për të vendosur në palmares një tjetër Këpucë të Artë (të dy gjenden në kuotën e 41 golave në kampionat). Në lojë është Topi i Artë, Këpuca e Artë, e ajo çka vlen më shumë në luftën mes këtyre dy kampionëve të futbollit modern, supermacia personale.
Sonte ora 20:00
Barcelona (4-3-3): Valdes, Adriano, Pujol, Maskerano, Alvesh, Iniesta, Buskets, Ksavi, Fabregas, Mesi, Pedro. Trajner: Pep Guardiola
Real Madrid (4-2-3-1): Kasijas, Marselo, Ramos, Pepe, Arbeloa, Ozil, Khedira, Alonso, Ronaldo, Kaka, Higuain. Trajner: Jose Mourinjo
Karanka: Në sulm nga sekonda e parë
Jose Mourinjo hesht në vigjilje të supersfidës dhe lë të prononcohet në konferencën për shtyp zëvendësin e tij, Aitor Karanka. E meritojmë titullin, ndaj duke qenë favoritët e trofeut, si të tillë do të zbresim edhe në fushën e Barcelonës. Do sulmojmë nga vërshëllima e parë e arbitrit me të gjitha forcat dhe pa dyshim duam që të fitojmë. Gjatë tri sfidave të fundit që kemi zhvilluar në këtë stadium, kemi lënë gjurmët tona duke gjetur portën. Në po të njëjtën mënyrë do të shkojmë në këtë transfertë me dëshirën e madhe për gol dhe fitore, ka thënë Karanka.
Policia përgatit shtetrrethimin
Policia katalanase ka marrë masa të jashtëzakonshme për të shmangur çdo incident të mundshëm të tifozerive sot në Barcelonë. Autoritetet do të nisin një shtetrrethim që prej orëve të para të mëngjesit dhe që do të përfundojë pas orës 22:00, kur gjyqtari të ketë vërshëllyer fundin. Me një vendim edhe të Komisionit të Antidhunës dhe forcave të policisë është vendosur që të ketë dhe patrullime nga ajri në zonën e stadiumit. Ndeshjet e fundit mes këtyre skuadrave janë shoqëruar gjithnjë me masa të tilla dhe, përveç incidenteve mes tifozerive, nuk ka pasur të lënduar.