Fetel i pari, penalizohen pesë pilotë
E shtuna e frikshme e Formula 1 në Çmimin e Madh të Japonisë u mbyll me një pilot në spital, katër aksidente dhe pesë pilotë të penalizuar, mes të cilëve edhe dy që luftojnë për titullin. Në fakt, Barrikelo dhe Baton, sot në orën 07:00 (orë shqiptare) do të startojnë nga vendet 9-të dhe 11-të. Fetel me Red Bull u shfaq më i shpejti në provat e djeshme zyrtare: 1‘32"160 ishte koha e regjistruar prej tij. Pas gjermanit nisen Truli (Tojota) dhe Hemilton (MekLaren). Renditja ndryshoi për shkak të katër aksidenteve (Alguersuari, Glok, Buemi e Kovalainen). Por, ishte përplasja e Buemi ajo e cila shkaktoi kaos në pistë, me katër pilotë që shkelën rregullat. Piloti i Toro Rosos, së bashku me Barrikelon, Baton, Sutil dhe Alonson u spostuan pesë vende më poshtë nga klasifikimi i përgjithshëm. Nga kjo situatë përfituan Raikonen (5) dhe Fizikela (13), gjithsesi, vija përfundimtare e nisjes, do të përcaktohet vetëm pak përpara garës.