Fetel tregon muskujt në Bahrein
Gjermani i Red Bull do të niset nga “pole position” në garën e parë sezonale në F.1
Sebastian Fetel me Red Bull ka regjistruar “pole position” e parë sezonal, ndërsa pas tij, me më pak se gjysmë sekonde diferencë u klasifikuan dy makinat Ferrari të Felipe Masës dhe Fernando Alonsos. Ndryshe nga provat e lira të së premtes, në provat zyrtare “kokëkuqja” u shfaq agresive dhe e shpejtë në pistën e Bahreinit. Në prag të këtij çmimi të Madh të gjithë pretendonin se specialiteti i prodhuesit nga Maranelo nuk ishte shpejtësia (e cila është e domosdoshme për t’u nisur nga vendi i parë), por aftësia për të mbajtur një hap konstant gjatë gjithë garës. Nëse kjo analizë ka qenë e saktë, sot, të gjithë kundërshtarët do të kenë probleme përballë Ferrarit. Në vendin e katërt ndodhet Luis Hemilton me MekLaren (paraqitje jo në nivelin e pritur), ndërsa i pesti u pozicionua Niko Rosberg me Mercedes, që të premten dominoi provat. Piloti gjerman ishte tri të dhjetat e sekondës më i shpejtë se shoku i tij i skuadrës, Mikael Shumaker, që në garën e cila shënon rikthimin në Formula 1, do të niset vetëm nga vendi i shtatë. Jo më kot, 7 herë kampioni i botës kishte deklaruar se “ende nuk mund të paraqitem në maksimum, jam paksa i ndryshkur”. Vetëm vend i tetë për kampionin e botës në fuqi, Xhenson Baton me MekLaren, i distancuar me më tepër se një sekondë nga Fetel, edhe pse në të vërtetë askush nuk priste një paraqitje më të mirë nga britaniku.
Entuziazmi i skuadrës Red Bull në këtë fillim sezoni është i kuptueshëm, pasi Mark Veber do të niset nga vendi i gjashtë. Ndërkohë, Fetel i mahniti të gjithë nga fillimi deri në fund të xhirove kualifikuese, duke u konfirmuar si një pretendent për titullin, me xhiro të shpejta të njëpasnjëshme. I natyrshëm entuziazmi i 22-vjeçarit, i cili është pagëzuar si “Shumakeri i ri”. Megjithatë, piloti shfaqet modest: “Jam shumë i lumtur për këtë ‘pole’. Për të qenë i sinqertë, dje (pardje) në mbrëmje nuk isha shumë optimist, por pasi punuam gjithë natën me mekanikët, sot (dje) e kuptova se kisha në dispozicion një makinë të jashtëzakonshme”. Bahreni ka konfirmuar edhe formën optimale të Masës, tetë muaj pas aksidentit, ku braziliani rrezikoi seriozisht jetën. Pasi siguroi një vend në vijën e parë të nisjes, ai tha: “Së pari, dëshiroj t’i bëj komplimentet e mia Fetelit, i cili ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Për sa më takon mua, jam shumë i kënaqur që u riktheva në nivelet e mia, pas një periudhe shumë të vështirë. I ndiqja garat në televizor dhe vuaja, nuk e kisha të lehtë. Makina ka ndryshuar shumë në krahasim me vitin e kaluar, tashmë na pret gara, por jemi të gatshëm për këtë sfidë”. Ndërsa Alonso deklaroi: “është ende e vështirë të kuptosh diferencat reale ndërmjet makinave. Jemi të lumtur për rezultatin në prova dhe tashmë do të luajmë kartat tona në garë”.
#