Fier ; Sekuestrohet një arsenal armësh në shtëpinë e 61-vjeçarit
Një arsenal armësh dhe eksplozivi është sekuestruar në një banesë në fshatin Kurjan të Fierit. Lajmi është konfirmuar dje nga policia lokale, sipas së cilës, ka qenë shqetësimi i banorëve të fshatit për të shtënat e herëpashershme me armë nga banesa e Teki Metohut, 61 vjeç, që ka vënë në lëvizje policinë e Fierit. Me të marrë sinjalizimin e banorëve, punonjësit e Rendit kanë kryer kontroll të befasishëm në banesën e Metohut. Sipas policisë, në banesë janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 automatik tip "Kallashnikov", 2 pushkë njëzetëshe, 1 krehër me 19 fishekë, 3 granata ofensive, si dhe 11 ndezës detonatorë. Armët e bllokuara kanë mjaftuar që policia t'i hidhte prangat në kushtet e flagrancës Teki Metohut. Ky i fundit është siguruar në ambientet e izolimit të Drejtorisë së Policisë së Fierit, me akuzën e "armëmbajtjes pa leje". Vetë Teki Metohu ka mohuar për policët dyshimet për implikimin në shitblerjet e armëve. Ai ka pretenduar se armët dhe eksplozivin e kishte qysh prej trazirave të vitit 1997 dhe nuk i kishte dorëzuar.