Në Korçë ; Grekut i vjedhin makinën para hotelit
Jo vetëm që nuk ka gjetur makinën në vendin ku e kishte lënë të parkuar, por për më tepër në dhomën e tij të hotelit mungonte dhe çelësi i automjetit. Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë në qytetin e Korçës, pikërisht përpara hotel “Regency”, kur një shtetasi grek i kanë vjedhur automjetin dhe mesa duket vjedhja është kryer me çelësat që ndodheshin në dhomën e hotelit ku kishte prenotuar shtetasi grek. Lajmi është konfirmuar edhe nga të dhëna zyrtare të policisë së Korçës, sipas të cilave, Jani Apostol Kristo, 35 vjeç, lindur dhe banues në Volos të Greqisë, me kombësi dhe shtetësi greke, ishte vendosur për të qëndruar në hotel “Regency” në këtë qytet ku dhe kishte parkuar mjetin tip “Seat Ibiza”, me vit prodhimi 1997, me targë BOZ 8826. Sipas të dhënave mësohet se në orën 08:00 të mëngjesit të djeshëm, kur është ngritur ka konstatuar se mjeti i tij nuk ishte në parking, si dhe nuk ka gjetur çelësat, që pretendon se i kanë humbur kur hyri në hotel. Me të marrë denoncimin, policia e Korçës tha se po kryen veprimet procedurale për veprën penale të “vjedhjes” dhe se po punohet për identifikimin e autorëve.