E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burri xheloz rreh gruan me levë hekuri

I ka shpëtuar për mrekulli vdekjes nëna e dy fëmijëve nga dhuna e bashkëshortit të saj, i cili e ka plagosur rëndë me mjete të forta. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 të ditës së djeshme në lagjen numër 3 të qytetit të Pogradecit, kur Mirosh Mruku, 40 vjeç, ka qëlluar me mjete rrethanore bashkëshorten e tij, 27-vjeçaren, Kismete Billa. Kjo e fundit është transportuar me urgjencë për në spital nga policia, e cila është vënë në dijeni nga fëmijët e çiftit, ndërkohë që është arrestuar dhe autorit i ngjarjes. Pas ngjarjes, kryefamiljari është mbrojtur duke pohuar se ishte në gjendje të dehur, por se nuk e ka mohuar se ishte xheloz dhe se dyshonte se bashkëshortja e tij shkonte me një person tjetër.

Nuk ka mundur të durojë dhe disa çaste derisa e shoqja t’ia servirte ushqimin në tavolinë, kur kaq është dashur që 40-vjeçari Mruku të rrëmbente çfarë ka gjetur përpara për të qëlluar në mes të shtëpisë bashkëshorten. Sipas hetimeve të policisë, kryefamiljari ka përdorur sende të forta mes të cilave dhe një levë hekuri, ndërkohë që i ka shkaktuar asaj plagë të rënda në trup. Në këtë situatë, dy fëmijët e vegjël kanë bërtitur duke vënë në alarm dhe fqinjët e tyre. Vetë viktima e dhunës, para se të plagosej, ka mundur të kryejë një telefonatë policisë lokale për ndihmë, ndërsa ndërhyrja në kohë e kësaj të fundit i ka shpëtuar asaj jetën.

Sipas policisë, nëse do të zgjaste dhe disa çaste vonesa e përfaqësuesve të policisë së shtetit, atëherë do të shtohej me një viktimë më shumë krimi brenda familjes. Ndërkohë, sipas të dhënave nga spitali i Pogradecit gruaja është duke iu nënshtruar mjekimeve, ndërsa situata e saj shëndetësore është mjaft kritike për jetën. Po kështu, 27-vjeçarja është marrë njëherësh dhe në mbrojtje nga efektivat e policisë së komisariatit të Pogradecit. Pas arrestimit të autorit të ngjarjes, ky i fundit ka pohuar se ishte xheloz, pasi dyshonte se gruaja e tradhtonte me një person tjetër. Gjithashtu, i arrestuari ka rrëfyer se ka qenë gruaja që e ka nisur debatin mes tyre, ndërsa ai gjithashtu ka dashur të mbrohet duke pohuar se ka qenë dhe në gjendje të dehur. Mirosh Mruku akuzohet për veprën penale të “plagosjes së rëndë me dashje”, si dhe atë të “kanosjes”, por dhe të “dhunës sistematike”që ka ushtruar ndaj së shoqes.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›