Si u krijuan 6.6 miliardë dollarë detyrime
Shqipëria e krijoi borxhin e brendshëm gjatë dy dekadave të fundit, veçanërisht gjatë viteve ’96-2001, kur qeveritë humbën sensin e realitetit dhe filluan të shlyenin detyrimet e qeverisë duke marrë para borxh. Rritmi i shtimit të borxhit të brendshëm u reduktua ndjeshëm gjatë viteve të fundit, gjë që solli edhe stabilitet makroekonomik dhe inflacion të përmbajtur. Por gjatë kësaj kohe, politikanët iu drejtuan me bollëk huamarrjes së jashtme për të paguar delirancat elektorale. Kështu, qeveria socialiste në vitin 2004 pranoi të marrë 100 milionë dollarë kredi tregtare për të paguar ndërtimin e një hekurudhe 40 kilometra të gjatë, rentabiliteti i së cilës qe i pabesueshëm. Plani dështoi, por i kushtoi qeverisë 20 milionë dollarë në gjoba për prishjen e kontratës. Në vitin 2006, qe radha e qeverisë së Partisë Demokratike për t’iu drejtuar tregut ndërkombëtar, nga ku tërhoqi 430 milionë euro borxhe për të paguar autostradën Rrëshen-Kalimash, e cila është vepra më e kushtueshme publike e ndërtuar ndonjëherë në Shqipëri.
Borxhet në valutë janë shumë shqetësuese. Edhe ekspertët e Ministrisë së Financave e kanë theksuar rrezikun që ato mbartin, pasi në rast se qeveria detyrohet të hyjë në treg për të blerë valutë për shlyerjen e borxheve në euro, atëherë leku dhe i gjithë stabiliteti makroekonomik mund të tronditen.
Problemi tjetër i madh lidhet me kategorinë e “borxheve të padukshme”, detyrimeve që qeveria ka pranuar për t’i shlyer në të ardhmen, por që nuk klasifikohen zyrtarisht si borxhe. Të tilla janë detyrimet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, të cilat mund të jenë në rendin e miliarda eurove.
#