Fier, 62 subjekte private rrezikojnë 3-5 milionë lekë gjobë për ndotje
Edhe pse disa herë janë marrë masa për rehabilitimin e zonës së Fierit, e cila shënon nivele tepër të larta të ndotjes, situatë ka mbetur pothuajse e njëjtë. Sipas drejtoreshës së agjencisë së mjedisit, kjo strukturë e rëndësishme nuk mund ta kryejë e vetme këtë aktivitet. Ajo kërkon vëmendjen e njësive vendore me qëllim që kontrollet të vijojnë e të bëhen me përfaqësues vendor.
"Subjektet me ndikim në mjedis janë disa. Numri i atyre që janë të pajisura më leje mjedisore shkon në 482. Nga këto të palicencuara janë 62 subjekte. Ne do të kërkojmë për këto subjekte që janë të papajisura me leje mjedisore të paraqiten për t'u pajisur, por në rast se këto subjekte nuk interesohen, atëherë jemi të detyruar të vendosim gjobë aq sa e parashikon ligji nga 3-5 milion lekë të vjetra. Por ne, pas këtij hapi kemi të drejtë të sekuestrojmë pasurinë apo të ndërpresim aktivitetin. Këto janë kryesisht biznes i vogël pasi subjektet e mëdha janë të pajisura me leje", ka bërë të ditur drejtoresha e Agjencisë së Mjedisit në Fier, Angjelina Mërtiri. Ndërkohë, një problem që zgjat është ai i procedurave që duhen ndjekur pas lidhjes së kontratës, pra pas pajisjes me leje mjedisore. Shumë subjekte sidomos ndërmarrjet e naftës nuk plotësojnë kriteret e vendosura në lejen e nënshkruar me agjencinë e mjedisit. Edhe për këto në bazë të një klauzole ligjore do të ketë sanksione deri në gjoba marramendëse. Vitin e kaluar, pre e gjobave ranë disa kompani të naftës në qarkun e Fierit. Shuma e gjobave kapi shifrën e 20 milionë lekëve.
Email This Klikime: 2
Email This Klikime: 2