E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, importi i patates nga Maqedonia çon drejt falimentimit fermerët vendas

Mbi 200 fermerë në rrethin e Korçës kanë mbetur në udhëkryq bashkë me tonelata patatesh të bllokuara në magazinat e tyre. Situata duket se ka nisur të vështirësohet, ndërsa prodhimet bujqësore janë duke u dekompozuar. Janë më shumë se 500 ton patate, të cilat duhet të ishin shitur prej disa muajsh, ndërsa importi i të njëjtit produkt nga Maqedonia duket se ka dënuar rëndë këta fermerë. Fshati Zvirinë ndodhet rreth 25 kilometra larg qytetit të Korçës. Banorët e tij jetojnë kryesisht me kultivimin e patates, ndërsa si kurrë më parë i gjithë prodhimi ka mbetur stok, madje pjesa më e madhe është kalbur. Fermerët e Zvirinës kërkojnë ndërhyrjen e shtetit dhe në mënyrë të veçantë të Ministrisë së Bujqësisë për këtë skandal siç e cilësojnë ata, që ka përfshirë ekonominë e tyre. I gjithë prodhimi iu ka mbetur pa shitur dhe për më tepër është duke u prishur, ndërsa Drejtoria e Bujqësisë në Korçë qëndron indiferente, ndonëse ka marrë ankesa të njëpasnjëshme nga këta banorë. Fillimisht në këtë fshat ka plasur skandali i kokrrës së patates, e cila ka dalë në pjesën më të madhe të sipërfaqeve të mbjella me kokërr të vogël. Por duket se hallet për ta nuk kanë të sosur. Tani iu duhet të presin me sytë nga qielli për të pritur nëse dikush do të blejë prodhimin e tyre. Fermerët, të shqetësuar kanë nisur të kërkojnë ndihmë në Drejtorinë e Bujqësisë dhe të Ushqimit në Korçë, por duket se nuk kanë marrë asnjë zgjidhje. Në fshatin e sipërpërmendur, kryefjala e vetme është ajo e patates të mbetur si produkt i padëshiruar nga tregtarët, ndërkohë që fermerët do të bllokojnë rrugën nacionale për të shpëtuar atë prodhim, të cilit i kanë dedikuar një vit punë dhe mundim.

Email This Klikime: 2

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›