Grabitet taksisti, autori kapet në Shijak
Shfaqen sërish klientët-grabitës të taksistëve në akset rrugore që lidhin Durrësin me Tiranën. Një taksist e ka gjetur veten para grykës së pistoletës, ndërsa ka qenë duke i shërbyer si taksi një të riu që e kishte marrë si pasagjer në afërsi të spitalit nr.2 në Tiranë. Hetimet kanë identifikuar si autor të ngjarjes së rëndë 22-vjeçarin nga Shijaku, Mikel Shaqja, i cili është arrestuar ditën e diel nga forcat e policisë së Durrësit. Gjithçka ka nisur në orët e vona të natës së të shtunës kur i dyshuari është paraqitur si pasagjer dhe i ka kërkuar 48- vjeçarit N. S. me banim në Tiranë, ta transportojë me automjetin e tij tip “Benz” me targa TR 1196 J, deri në Plepa të Durrësit. Por kur taksia ka mbërritur në Plepa, pasagjeri ka kërkuar të ndryshojë destinacionin përfundimtar të udhëtimit e meqë vendi ku ka dashur të shkojë ka qenë jo larg nga Plepat, 48-vjeçari nuk ka dyshuar. I riu ka kërkuar që ta çojë në Kodër Arapaj, të Komunës Rrashbull. Në momentin kur mjeti është futur në një rrugicë të pandriçuar, i dyshuari ka nxjerrë një armë zjarri dhe i ka kërkuar shoferit të zbresë. Rezistenca e shoferit ka çuar në përdorimin e armës dhe drejtuesi i automjetit ka mbetur i plagosur në këmbë pas dy të shtënave, ndërsa grabitësi është larguar me automjetin dhe celularin e të dëmtuarit. Ai ka mundur të njoftojë policinë që ka ngritur postblloqet dhe kjo e ka detyruar grabitësin ta braktisë automjetin te Katër Rrugët e Shijakut. Pas një aksioni të policisë, u bë ndalimi i tij në Shijak, ndërsa iu bllokua pistoleta e krimit dhe celulari i grabitur. Shaqja akuzohet për plagosje të rëndë, vjedhje me armë dhe armëmbajtje pa leje. Burimet policore bënë të ditur se i plagosuri e ka identifikuar të arrestuarin. Ndërkohë, mësohet se i riu nga Shijaku nuk ka qenë i dënuar më parë. Grabitja ka ndodhur pak para mesnatës, ndërsa automjeti është nisur nga Tirana rreth orës 22:45. “Brenda një kohe të shkurtër është bërë i mundur konstatimi i mjetit të vjedhur, i cili ishte braktisur nga autori në vendin e quajtur Katër Rrugët e Shijakut. Në sajë të hetimeve të kryera mbi zbardhjen e kësaj ngjarjeje u identifikua si autor i saj shtetasi Mikel Shaqja”, deklaroi zyrtarisht Drejtoria e Policisë së qarkut. Ndërkaq, kapja e tij u realizua rreth orës 16:00 të së dielës në qytetin e Shijakut. Shumë forca policore u përfshinë në aksion duke menduar se i dyshuari ishte i armatosur dhe mund të reagonte me armë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua pistoleta e kalibrit 9 mm, automjeti, si dhe telefoni celular i vjedhur. Burime nga spitali i Durrësit thanë se i plagosuri është jashtë rrezikut për jetën.
#