E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ demonstron se si do të numërohen votat nga kamerat vëzhguese

Zgjedhjet e qershorit do të monitorohen me kamera nga 66 njësi votimi në gjithë Shqipërinë
Zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, do të monitorohen nga sistemi i kamerave, një projekt që ka kushtuar 1.5 milion euro. Ky sistem do të paraqesë kamerat nga të gjitha tryezat ku do të zbrazet kutia me vota, ndërsa në monitorë të posaçëm vëzhguesit kanë mundësi të ndjekin çdo fletë votimi dhe të marrë në kohë reale rezultatet e numërimit. Kështu, Komisioni Qendror Zgjedhor ka monitoruar nga afër procesin e instalimit të kamerave dhe të ekraneve të mëdha në qendrat e numërimit që do të ngrihen në të gjithë Shqipërinë. Kryetari i KQZ, Arben Ristani vëzhgoi dje një nga këto qendra numërimi, në shkollën Hasan Prishtina, të Tiranës, që i përket QNV nr 46, duke u shprehur se të njëjtat instalime të pajisjeve teknologjike po zhvillohet në të gjitha qendrat e numërim që do të ngrihen në mbarë vendin. Më tej Ristani shprehu siguri dhe transparencë maksimale të procesit zgjedhor dhe garantoi se brenda javës, në 66 VNV-të në mbarë vendin, ka për të filluar montimi i teknologjisë për numërimin e votave. Një sistem kamerash i instaluar në palestrën e Shkollës Hasan Prishtina, në kryeqytet, paraqet pamje të qarta nga 5 tavolinat e vendosura në sallë për numërimin e votave. Ka filluar montimi i teknologjisë për numërimin e votave ashtu si tek kjo palestër që do të shërbejnë dhe 66 vende të tjera ku do numërohen vota në të gjithë Shqipërinë Kjo pamje që ju shihni këtu do të vijë online në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, e si rrjedhojë do të kemi mundësi të mbajmë nën kontroll të 66 vendet ku do të numërohen votat, në mënyrë që të sigurojmë një transparencë maksimale dhe të bëjmë të mundur shpalljen në sa më pak kohë të rezultatit të zgjedhjeve. Ndërsa në KQZ është krijuar një vend i mjaftueshëm për vëzhguesit që do të monitorojnë zgjedhjet nga ekrani i madh, u shpreh Ristani. Sipas tij, deri tani janë montuar disa Vende të Numërimit të Votave në Tiranë, Elbasan dhe Librazhd. Shpresojmë që maksimumi një javë para ditës së zgjedhjeve do të jetë montuar e gjithë teknologjia në gjithë Shqipërinë dhe javën e fundit do të mund ta testojmë atë për të qenë gati ditën e zgjedhjeve, theksoi  kreu i KQZ-së. Sipas tij, nëpërmjet kësaj teknologjie vëzhguesit do të kenë mundësi të shikojnë nga afër si është votuar në fletën e votimit si dhe do të jenë shumë afër me vëzhguesit, për të ndjekur çdo veprim të tyre. Ai informoi se secila QNV do të ketë nga 5 tavolina për numërimin e votave. Gjithashtu do të jetë instaluar dhe një kompjuter që mbledh pamjen qendrore nga kamera 360 gradë. Ndërsa, për sa i përket mënyrës së votimit për kategorinë e të verbërve, të cilët kohët e fundit kanë ngritur shqetësimi se mund të mbeten pa votuar në zgjedhjet e qershorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shprehet se qendrat e votimit vedore do të pajisen me mjete të posaçme që do të lejonin zgjedhësit e verbër të lexojnë ose të kuptojnë fletën e votimit dhe të votojnë në mënyrë të pavarur. Nisur nga praktika e zgjedhjeve të vitit 2005, KQZ ka vendosur që mjeti të ketë formën dhe përmbajtjen e fletës së votimit, por me alfabetin e përshtatshëm për personat e verbër. Me qëllim realizimin e këtij procesi çdo QV duhet të pajiset me një mjet të tillë. Vendi dhatë mbledhjes së djeshme të KQZ, parashikon blerjen e rreth 5000 mjeteve të posaçme, që do të përdoren nga votuesit e verbër. Kodi zgjedhor në nenin 108, pika 8 parashikon detyrimin e KQZ-së për të pajisur Komisionet e Qendrave të Votimit (KQV) me mjete të posaçme votimi që do të lejonin zgjedhësit e verbër që të lexojnë ose të kuptojnë fletën e votimit dhe të votojnë në mënyrë të pavarur. Nga ana tjetër, të verbrit dhe personat me aftësi të kufizuara i kanë bërë apel sërish qeverisë dhe KQZ që të marrin masa të menjëhershme lehtësuese për pajisjen e tyre me karta identiteti. Ata shprehen të indinjuar, ndaj urdhrit të ministrit të Punës Viktor Gumi, që ndalon marrjen e pagesës së muajit qershor, në rast se nuk kanë kartë identiteti. Ata i tërheqin vëmendjen Ministrisë së Brendshme që të marrë masa për pajisjen e çdo personi me aftësi të kufizuar, me letërnjoftimin elektronik. Nuk u krijon mundësitë dhe lehtësitë për marrjen e këtyre kartave, pra si mund të shkojë të marri kartën një person i paralizuar në katin e katërt. Nuk ka pasur asnjë reagim, asnjë përgjigje, tha Sinan Tafaj, kryetar i Shoqatës së të Verbërve. Ndërkohë Tafaj shprehet se, është një numër i konsiderueshëm personash me aftësi të kufizuar që nuk janë pajisur me karta dhe të verbrit nuk kanë mundësi të votojnë, ndërkohë që vetëm tre jave na ndajnë nga zgjedhjet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›