E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier: Të gjitha KZAZ të gatshme për procesin zgjedhor

Qarku i Fierit garanton një proces zgjedhor normal dhe të pakontestueshëm, tha se  koordinatori rajonal i KQV, Adriatik Kulla. Sipas tij, godinat, mjediset dhe infrastruktura zgjedhore e vënë në shërbim të këtij procesi janë në përputhje me Kodin Zgjedhor, duke garantuar të gjitha standardet e kërkuara. Në Qarkun e Fierit do të funksionojnë 7 KZAZ dhe 487 Qendra Votimi. Janë përzgjedhur lokalet ku do të instalohen KZAZ dhe lokalet që do të shërbejnë si QV dhe është bërë pajisja e tyre me bazën e nevojshme materiale, tha Kulla. Kulla tha se, në rrethin e Fierit janë instaluar 3 KZAZ të ndara, një për qytetin e Fierit që ka 78 Qendra Votimi; 1 KZAZ funksionon për qytetin dhe zonën periferike të Patosit e cila ka 75 QV dhe 1 KZAZ do të administrojnë komunat, që kanë 103 qendra votimi. Numri i përgjithshëm i votuesve të rrethit Fier arrin në 193.750 vetë. Më tej, Kulla tha se në rrethin e Lushnjës janë ngritur 3 KZAZ, prej të cilave, 2 për administrimin e procesit në komuna dhe 1 për qytetin. Qyteti i Lushnjës ka 33 Qendra Votimi dhe 40.450 votues, ndërsa komunat kanë 145 qendra votimi me një numër votuesish prej 87.950. Rrethi i Mallakastrës do të administrohet vetëm nga një KZAZ, që përbëhet nga 54 QV me rreth 30 .245 votues. Sipas Kullës, nga inspektimi i të gjitha QV rezulton se i plotësojnë të gjitha standardet, janë në përputhje me Kodin Zgjedhor dhe orientimet e KQV. Në mjedise private janë 66 QV, nga 487 QV gjithsej. Një nga arritjet më të mëdha në këtë proces zgjedhor vlerësohet monitorimi i procesit të numërimit të votave, nëpërmjet rrjetit kompjuterik. "Në qarkun e Fierit janë ngritur 2 qendra të numërimit të votave, të cilat janë instaluar në palestrën e shkollës së mesme industriale Petro Sota dhe të gjimnazit të ri Perikli Ikonomi, tha Kulla. Sipas tij, në të dy ambientet që do të shërbejnë për numërimin e votave janë instaluar kamerat vëzhguese, sistemi i alarmit, monitorët dhe gjithë instalimet elektronike në funksion të procesit.
Ndërkaq, në Qarkun e Elbasanit janë përcaktuar dhe miratuar vendndodhjet e Qendrave të Votimit në të 6 bashkitë dhe 43 komunat. Inspektori i Zyrës Rajonale Zgjedhore, Dhimitraq Zografi u shpreh se vend- numërimet për të 6 zonat do të jenë në Elbasan, Cërrik, Gramsh, Librazhd, Peqin dhe Përrenjas. Sipas tij, në Bashkinë e Elbasanit do të votojnë 91.545 zgjedhës në 96 qendra votimi të qytetit;  në bashkinë e Librazhdit do të votojnë 51.170 zgjedhës në 90 qendra votimi; në Bashkinë e Cërrikut do të votojnë 52.905 zgjedhës në 90 qendra votimi; në komunën Bradashesh do të votojnë 52.781 zgjedhës në 123 qendra votimi; në bashkinë Gramsh, do të votojnë 25.077 zgjedhës në 97 qendra votimi dhe në bashkinë Peqin do të votojnë 26.185 zgjedhës në 53 qendra votimi. Në total, 299.663 zgjedhës do të kenë në dispozicion 549 qendra votimi të shpërndara në të gjithë territorin e qarkut të Elbasanit në zgjedhjet e 28 Qershorit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›