Fier, arrestohen 9 policë për korrupsion pasiv
Ministria e Brendshme bëri të ditur se nën hetim janë vënë 17 punonjës të policisë rrugore të Komisariatit të Policisë Fier, ndërkohë që nëntë prej tyre kanë përfunduar në pranga. Forcat e rendit kanë arrestuar kolegët Arjan Xheka, Bardhosh Malaj, Flamur Derveni, Pëllumb Toro, Pëllumb Çepele, Vladimir Gjini, Leonard Brahimaj, Anesti Gjini dhe Ermir Gjonçe. Ata akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe më shumë se një herë kanë kryer veprën penale të korrupsionit pasiv gjatë shërbimit përgjatë aksit rrugor Lushnje-Fier-Vlorë, duke u marë para drejtuesve të automjeteve në këmbim të mosndëshkimit administrativ për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Për të njëjtën akuzë filluan hetimet në gjendje të lirë edhe për tetë punonjës të tjerë të policisë rrugore në Komisariatin e Policisë Fier. Nën hetim janë gjithashtu edhe 35 qytetarë, drejtues automjetesh, të cilët në kohë të ndryshme kanë kryer veprën penale të korrupsionit aktiv duke u dhënë para këtyre punonjësve të policisë rrugore në këmbim të mosndëshkimit administrativ për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.