Fier, arrestohet përkthyesi që hiqej si noter
Pranga përkthyesit që punonte në një zyrë private pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit gjyqësor Fier. Ai akuzohet për mashtrim, ndërkohë që burimet zyrtare të policisë së Fierit saktësojnë për "Shqip" se ai shërbente me vula noteri për klientët që kërkonin një vërtetim noterial, apo noterizimin e dokumenteve të ndryshme. Ka qenë operacioni i koduar "Noteri" ai që ka vënë në pranga 36-vjeçarin Renato Hebeja, me precedentë të mëparshëm penal. Arrestimi i Hebeajt është kryer në orën 13:00 të ditës së enjte, ndërkohë që kanë qenë agjentët e seksionit kundër krimit financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier, ata që pas një hetimi tremujor arritën në plotësimin e dosjes në fjalë. Burimet zyrtare të policisë së Fierit bëjnë të ditur për gazetën "Shqip" se Renato Hebeja, lindur në Patos dhe banues prej disa vitesh në lagjen "11 Janari" të qytetit të Fierit, është arrestuar për veprat penale "falsifikim të dokumenteve" dhe "mashtrim". Policia ka ushtruar kontroll në ambientet private ku ai kryente aktivitetin, vetëm pak metra larg nga Gjykata e Rrethit gjyqësor Fier. Nga kontrolli i ushtruar janë gjetur dokumente të ndryshme në gjuhën angleze dhe atë greke, si dhe tre vula drejtkëndore dhe një vulë rrethore metalike në gjuhën angleze, e cila përdorej nga ana e këtij shtetasi për të noterizuar dokumente të ndryshme. Drejtori i Policisë së Qarkut Fier, Shemsi Premçi, në një prononcim për gazetën "Shqip" është shprehur se hetimi ndaj noterit mashtrues ka më shumë se 3 muaj që ka nisur. Shkak janë bërë disa dokumente të përkthyera dhe të noterizuara nga Renato Hebeja, të cilat janë dërguar në konsullatën italiane në Vlorë. 36-vjeçari njihet me precedent të mëparshëm penal, pasi ka fyer, kanosur e plagosur lehtë tre muaj më parë një avokat. Ndërkohë që burime nga policia thonë se ai është hetuar edhe për ngjarje të tjera.
M.Troka
M.Troka