E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqtarët "mbyten" nga dosjet

Gjyqtarët e Durrësit, ndonëse në mbingarkesë të plotë, aq sa nuk arrijnë të zbardhin vendimet, nuk ankohen. Edhe pse çdo gjyqtar aktual në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës ka një ngarkesë prej më shumë se 200 dosjesh për gjykim, asnjë prej tyre nuk dëgjohet të ankohet nga puna e tepërt që shton ndjeshëm të ardhurat e tyre. Janë 11 vende vakante që pritet të plotësohen me gjyqtarë të rinj, ndërkohë që deklarata e nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu, kan shtuar "ethet" në këtë institucion të drejtësisë lokale. Deklarata e Spahiut për transferimin e tyre dhe gjyqtarëve të Tiranës në gjykata të rretheve të tjera jo vetëm ka shtuar ethet dhe dëshirën për të mbajtur fort vendin që kanë, por nga ndonjëri komentohet edhe si një tender ku në Durrës do të mbeten ata që do të paguajnë më shumë, në rast se kjo deklaratë do të gjejë zbatim. E pyetur në lidhje me vendet vakante në Gjykatën e Durrësit, kancelarja Ardena Veli tha për "Shqip" se nga katër vende që ishin më parë, për shkak të lëvizjes së gjyqtarëve, dy prej të cilëve në pension, me dekretin më të fundit presidencial në këtë gjykatë kanë mbetur 11 vende vakante. Gjatë vitit të kaluar është përballuar një volum prej 7747 çështjesh, 5729 prej të cilave kanë qenë çështje themeli. Ndërkaq, nga viti i kaluar janë mbartur në këtë vit 876 çështje civile dhe 189 penale. Aktualisht janë 12 gjyqtarë që mbulojnë një volum të konsiderueshëm pune që ka ardhur në rritje nga viti në vit. "Pothuajse secili prej tyre përballon një ngarkesë prej 200 çështjesh", sqaron Veli në lidhje me nevojën për më shumë gjyqtarë në Durrës. Ndërkaq, kryetarit aktual të gjykatës, Ervin Metallës, i ka mbaruar mandati 5-vjeçar dhe rikandidon për të mbajtur sërish postin drejtues, që mësohet se synohet edhe nga gjyqtari Rexhep Bekteshi, një prej emrave më të njohur në këtë gjykatë. Konkurrimi është hapur dhe kandidaturat kanë paraqitur kërkesat e tyre pranë KLD-së. Ndërkohë pritet që së shpejti Këshilli i Lartë i Drejtësisë të vendosë për 11 emrat e rinj të gjykimit në Durrës, që së bashku me kryetarin e gjykatës do e çonin në 24 numrin e gjyqtarëve, duke shpërndarë në një mënyrë më të drejtë numrin e çështjeve. Në shumë raste avokatët dhe qytetarët ankohen për vendime të pazbardhura dhe kur u drejtohen gjyqtarëve, marrin si përgjigje pamundësinë për t‘i zbardhur në kohë reale vendimet për shkak të mbingarkesës. Megjithatë këto janë pasojat që ndjejnë qytetarët, pasi vetë gjyqtarët nuk e ngrenë zërin për volumin e punës që përballojnë dhe që mund të ndikojë në cilësinë e gjykimeve.

V.Qyrfyçi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›