E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e shqiptarit, dënohet punëdhënësi

Një punëdhënës britanik është dënuar me 13,300 sterlina gjobë për thyerjen e rregullave të sigurisë në punë që çuan në aksidentimin fatal të një emigranti shqiptar në Londër. Ajet Krasniqi, 24 vjeç humbi jetën teksa ai po punonte brenda një ndërtese nga e cila u shkëput një copë hekuri, duke e goditur në kokë. Shqiptari ndërroi jetë me të mbërritur në spital. Punëdhënësi britanik, Leonard Gibson, për t‘i shpëtuar burgosjes që në seancën e parë gjyqësore pranoi fajësinë për shkelje të rregullave të sigurimit në punë. Gjykata e dënoi atë me 13,300 sterlina gjobë për shkelje të aktit të sigurisë në punë. Inspektori Nicola Surrey tha se ky incident tragjik mund të evitohej nëse punëdhënësi paraprakisht kishte marrë masat e eliminimit nga çdo rrezik i mundshëm në objektin ku punonte viktima me katër punëtorë të tjerë. Shumë emigrantë shqiptarë të palegalizuar në Britaninë e Madhe për të mbijetuar detyrohen të kryejnë punë nga më të rëndat dhe me rreziqe në sektorin e ndërtimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›