"Të shkëlqej te U-21, pastaj te Kombëtarja"
Futbollisti i ri 20-vjeçar nga Vushtrria, Ahmed Januzi, së shpejti do të bëhet futbollisti i 12-të kosovar, i cili do të pajiset me pasaportën shqiptare. Januzi nuk e ka fshehur kënaqësinë që së shpejti do të marrë pasaportën shqiptare dhe ka thënë se besimin e zyrtarëve të FSHF-së do të mundohet ta shpërblejë në fushën e gjelbër. "Për çdo futbollist, sidomos për ne kosovarët, është kënaqësi të pajisesh me pasaportën shqiptare dhe të luash për kombëtaren, duke ditur se Kosovës ende nuk po i mundësohet anëtarësimi në FIFA dhe UEFA. Zyrtarët e FSHF-së më kanë kërkuar dokumentet e nevojshme dhe ka mbetur që unë t'i dërgoj ato, në mënyrë që më pas të pajisem me pasaportën shqiptare", ka pohuar Ahmed Januzi. Ndonëse objektivi i çdo futbollisti është fanella e kombëtares A, futbollisti vushtrrias thotë se ai ndjehet mirë edhe me aktivizimin te skuadra e Shpresave. "Ende jam në moshë të re dhe aktivizimi në Shpresa për mua është ndjenjë shumë e mirë. Pa marrë parasysh se nëse do të luaj për Shpresat apo për Kombëtaren A, objektivi im është i njëjtë: të jap maksimumin. E kam mirëpritur mundësinë e aktivizimit te Shpresat dhe besoj se ky është një rast i mirë për t'i treguar vlerat e mia dhe më pas, nëse do të kem fat dhe do të kem ecuri të mbarë nën drejtimin e trajnerit Artan Bushati, sigurisht që do të marr edhe ftesën e përzgjedhësit të Kombëtares, Ari Han", ka nënvizuar Januzi.