Problemet në mbrojtje, Ari Han sytë nga Dede
Trajneri i Kombëtares shqiptare, pas një vizite që ka bërë në Kinë gjatë ditëve të fundit, ka vendosur të shohë nga afër edhe mbrojtësin shqiptar Nevil Dede, i cili aktivizohet te skuadra e Çangsha Ginde. Ari Han, i cili udhëton shpesh drejt Kinës, për të parë se si ecin bizneset që djali i tij ka ngritur atje, ka vendosur të vëzhgojë nga afër edhe ish-qendërmbrojtësin e Kombëtares. Ky i fundit, sipas të gjitha gjasave, do të rikthehet në kampionatin shqiptar në merkaton e janarit. Skuadrat që interesohen më shumë për të janë Besa, Dinamo dhe Elbasani. Pasi ka përfunduar ndeshja e javës së parafundit të kampionatit kinez midis Beijing Guoan-Çangsha Ginde, mësohet se Dede nuk ka biseduar me trajnerin Han, pasi nuk kishte asnjë informacion që trajneri i Kombëtares shqiptare ndodhej në Kinë. "Unë nuk e dija që trajneri Han ndodhej në tribunë, - ka thënë Dede për Albaniasoccer.com. - U njoftova pasi mbërritëm në qytetin tim nga menaxheri i ekipit". Dede zhvilloi një nga ndeshjet e tij më të mira. Në përfundim të takimit u radhit në formacion e javës në Kinë. Në këtë takim qendërmbrojtësi shqiptar luajti si kapiten i skuadrës. Në fund të nëntorit, kampionati kinez mbyllet dhe praktikisht Dede do të jetë një lojtar i lirë, ndonëse kartonin mund ta tërheqë vetëm gjatë merkatos së janarit.