E Diel, 1 Nëntor 2026

“Të hiqen zyrat e KESH, nuk vajtojmë dot të vdekurit”

 

BURREL/ HASAN PASHA

Banorë të katër pallateve në qendër të qytetit të Burrelit kërkojnë largimin e zyrave të filialit elektrik nga oborri i këtyre pallateve. Në oborrin e përbashkët ata mblidhen si në ceremoni mortore apo në festa dhe prania e punonjësve të zyrave u sjell shqetësim. Më rëndë bëhet situata në raste fatkeqësish, pasi sipas zakonit dhe mungesës së hapësirave brenda pallateve, familjet nxjerrin të ndjerin jashtë. Dhjetëra gra pushtojnë oborrin e përbashkët duke vajtuar të vdekurin, ndërsa nga ana tjetër bllokohen për të hyrë në zyrat e tyre dhe punonjësit e KESH-it. Njëri nga banorët e këtyre pallateve, Sherif Stafa, tregon konfliktin e kahershëm me filialin elektrik. “Deri në vitin 2007 në katin e parë të pallatit tonë kishte shumë pak punonjës të KESH-it. Ishte vetëm një zyrë për shërbimet elektrike. Por prej 1 viti, në këtë zyrë është vendosur administrata e Divizionit Elektrik Burrel, me rreth 30-40 vetë punonjës”, thotë ai. Sipas Stafës, që në fillim e kundërshtuan këtë veprim, por askush nuk u interesua. “Dërguam letra në bashki, prefekturë dhe Ministrinë e Ekonomisë. Përveç bashkisë Burrel askush tjetër nuk na dha përgjigje. Kur komshinjtë kanë fatkeqësi zyrat e filialit elektrik vetëmbyllen. Sapo përhapet lajmi për vdekjen e dikujt në këto pallate drejtues e specialistë nuk mund paraqiten në detyrë. Ne jemi të detyruar të shfrytëzojmë oborrin e pallatit tonë për çdo fatkeqësi. Kështu do të veprojmë vazhdimisht”. Banorët shprehen se tashmë edhe vetë drejtuesit e specialistët e filialit elektrik janë bindur se zyrat e tyre nuk duhet të jenë aty ku janë sot për shumë arsye. Rreziku që sjell rrjeti elektrik në afërsi të pallateve, kryerja e nevojave personale në mjedise publike, zhurmat e shumta dhe fjalori banal kanë ndikuar në jetën e këtyre banorëve. Përfaqësuesit e tyre shprehen se tre-katër ditë do të vazhdojë ceremonia mortore dhe më pastaj do të diskutojnë për mënyrën e organizimit të veprimeve për largimin e zyrave nga ky mjedis ku është sot. “Do të kërkojmë me të gjitha mënyrat demokratike largimin e zyrave nga ky vend. Ka plot ambiente të tjera, madje edhe të gatshme ku mund të vendoset filiali elektrik Mat. Ne nuk mund të lejojmë njerëz të dehur në dyert e shtëpive tona. Ne nuk mund të kërkojmë vend tjetër për ceremonitë familjare”, shprehen banorët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›