E Diel, 1 Nëntor 2026

Pluton Vasi, një telekomedi e zezë për divorcin dhe NATO-n

 

Ka vendosur të "luajë" rëndë, por në fund të fundit ka ca gjëra që duhen thënë. I shquar për karakterin e vet sarkastik, regjisori Pluton Vasi ka vendosur të "hedhë" punën e tij të radhës. Një film komedi, e zezë madje, prodhim i Radio Televizionit Publik Shqiptar. E ka quajtur "Shqetësimet e një obezi", por nuk janë shqetësimet vetëm të një burri të shëndoshë. Tashmë i ka përfunduar xhirimet dhe është në procesin e postproduksionit. Filmi, i cili zgjat 65 minuta ngrihet mbi një subjekt të thjeshtë, e cila plotësohet me anë të materialeve të nxjerra nga arkivat historike të TVSH-së dhe një sërë intervistash të bëra në terren. Një gazetar duhet të realizojë një dokumentar mbi shqetësimet e ditës, mbi jetën në çift, divorcin, në një kohë kur jeta e tij është një disfatë e vërtetë. Përveç personazheve kryesore, që janë Peçi, gazetari (Xhevair Zeneli), Agllaija, e shoqja (Mariana Kondi) dhe i dashuri i kësaj të fundit (Arben Derhemi), personazhe shumë të rëndësishëm janë të intervistuarit, të cilët japin mendimet e tyre rreth shqetësimeve që ngre gazetari. Janë njerëz të thjeshtë, burra, gra, shumë syresh ushtarakë, por edhe drejtuese OJF-sh, që luftojnë mbi barazinë gjinore e më së shumti për të drejtat e grave. Sigurisht temat janë serioze dhe po me kaq seriozitet përgjigjen edhe të intervistuarit, veçse regjisori përdor shumë ironinë, për të dhënë pamjen e vërtetë të shoqërisë shqiptare. Përveç pyetjeve se kush komandon në shtëpi, burri apo gruaja, sa e rëndësishme është paraja në jetën familjare, çfarë të çon në divorc, e të tjera si kjo, shtrohet edhe pyetja se sa do të ndikojë hyrja në NATO në shtimin, apo uljen e numrit të divorceve(!!!). Përgjigjet janë nga më të ndryshmet, shumë edhe absurde. (Edhe pse regjisori ka kohë që punon për këtë projekt, kjo temë të sjell ndër mend e forcohet më tej me valën e zgjedhjes së Presidentit të Amerikës. Të pyetur nga gazetarët, kishte nga ata që thoshin se po të fitojë Obama, Shqipëria do të ketë më shumë ujë e drita). Xhirimet janë kryer në Tiranë, shumë madje në studiot e televizionit Publik Shqiptar. Për të sjellë këtë atmosferë herë-herë edhe surreale, Vasi përdor edhe një teknikë të veçantë, që ai nuk do ta zbulojë më tej. Filmi, të cilit pritet t'i jepet edhe dora e fundit, së shpejti do të ketë një premierë në Tiranë e më tej në disa rrethe të vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›