Fier, bllokohen cigare kontrabandë
• FIER - Operacioni i koduar "TABAKO 3-2008", bën të mundur sekuestrimin e një sasie cigaresh kontrabandë në qytetin e Fierit. Rreth 1500 paketa cigaresh të markës "Slims" u zbuluan brenda një furgoni me targë të Vlorës 4361 C, të cilat nuk ishin deklaruar në faturën tatimore. Malli kontrabandë ishte nisur nga qyteti i Vlorës dhe kishte si destinacion qytetin bregdetar të Durrësit. Sipas bluve automjeti tip "Benz", me drejtues Dalip Abazin ishte nën vëzhgimin e tyre, duke i kërkuar ndalimin dhe deklarimin e mallit. Pas verifikimit në pjesën e pasme të automjetit janë gjetur edhe cigaret e tregtuara jashtë ligjit. Mallrat ishin në pronësi të firmës "CIPITA" me qendër në qytetin e Vlorës. Mjeti dhe cigaret janë bllokuar nga policia, ndërsa ka nisur hetimi për drejtuesin dhe pronarin e mallit. m.r