E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, çdo ditë shkatërrohet një familje

19/07/2010 Në 6 muaj 258 padi për divorc nga gjykata e rrethit. Shkaqet: Tradhtia, varfëria dhe emigracioni

FIER- Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti regjistrohen në Gjykatën e Shkallës së Parë të rrethit Fier një shifër e frikshme divorcesh. Janë jo pak, por 258 padi për zgjidhje martese në Gjykatën e Shkallës së Parë të rrethit gjyqësor Fier dhe mbi 50% e tyre kanë marrë zgjidhje përfundimtare. Divorcet një nga fenomenet në rritje në rrethin e Fierit, po godet gjithnjë e më shumë familjet fierake.

Divorcet

Nga të dhënat e mara nga gjykata e rrethit Fier mësohet se çdo ditë regjistrohet nga një çështje e tillë që do të thotë një zgjidhje martese çdo ditë, një familje e shkatërruar apo një çift i ndarë çdo 24 orë. Burimet zyrtare nga Gjykata e Shkallës së Parë Fier kanë bërë të ditur dje se në periudhën janar- qershor janë regjistruar gjithsej 258 padi për zgjidhje martese. Po sipas këtyre burimeve, gjykata ka përfunduar gjykimin e 189 padive të të njëjtit lloj. Aktualisht janë në proces gjykimi 11 kërkesa për divorc, ndërkohë që, për 42 padi të tjera për zgjidhje martese është vendosur pushimi i çështjes. Sipas avokatëve, shkaqet që çojnë një familje drejt divorcit janë nga më të ndryshmet, ku pjesën më të madhe të tyre e përbëjnë ndarjet për shkaqe ekonomike, por nuk përjashtohen edhe rastet e mosmarrëveshjeve të ndryshme mes bashkëshortëve. Sipas statistikave, të pakta janë rastet ku çiftet janë ribashkuar sërish. Fenomeni divorc është shumë më i përhapur në qytetin e Fierit dhe më pak i përhapur në qytet të vogla si Roskovec, Patos etj. Referuar specialistëve, shkak i prishjes së familjes mbetet tradhtia bashkëshortore, gjendja e vështirë ekonomike, emigracioni, keqtrajtimet dhe lidhjet pa baza njohjeje. Sipas statistikave, ato që dëmtohen më shumë nga divorcet janë familjet që kanë 5-10 vjet martesë dhe gati 80% e rasteve janë më fëmijë 1 deri në 3 fëmijë. Gjykata e Fierit bëri të ditur se në shumicën e rasteve, paditë për divorc janë nga femrat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›