E Diel, 1 Nëntor 2026

Krijohet në Durrës seksioni i hetimit të aseteve kriminale

19/07/2010 Në Durrës dyshohet të ushtrojnë aktivitet 6 familje mafioze dhe rreth 40 grupe kriminale

DURRES- Është krijuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Durrësit një seksion i ri në përgjigje të luftës që i ka shpallur qeveria dhe policia e shtetit grupeve kriminale. Burime zyrtare në Durrës kanë deklaruar se është ngritur dhe strukturuar plotësisht seksioni i ri që do të hetojë të gjitha asetet kriminale. Pasuritë e vëna në rrugë kriminale janë bërë objekt disa herë nga drejtësia, e cila duket se ka ndeshur në pengesa për t’i shkuar deri në fund ndëshkimit të personave të implikuar në grupe e organizata kriminale. Durrësi është një ndër qytetet më problematik lidhur me investigimin, regjistrimin dhe penalizimin e këtyre aseteve. Nisur nga deklarimet publike që kanë bërë krerë të lartë të policisë së shtetit në Durrës dyshohet të ushtrojnë aktivitet 6 familje mafioze dhe rreth 40 grupe kriminale, një pjesë e të cilave janë rrënuar pas goditjeve të vazhdueshme që ka dhënë policia e drejtësia. Aktiviteti i paligjshëm është investuar në disa drejtime, të cilat në mjaft raste lajnë paratë e fituara nga kontrabanda, trafiku, prostitucioni, droga dhe aktivitete të tjera të paligjshme. Ende ky seksion nuk ka nisur të shpallë rezultatet e para, të cilat koordinohen me aktivitetin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Seksioni do të ndihmojë për të goditur dhe vënë para drejtësisë aferat mafioze të grupeve kriminale që veprojnë në territorin tonë apo edhe në bashkëpunim me organizata kriminale të huaja. Xh. Gradica

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›