E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, dhuna në familje, gruaja rreh për "vdekje" bashkëshortin

Vladimir Demçe përfundon në Spitalin Ushtarak
Një 46- vjeçar ka përfunduar në urgjencën e spitalit të Fierit, pas frakturave të shumta që ka marra në trup. Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në qytetin e Fierit, ku protagonistë kanë qenë pikërisht bashkëshortët Vladimir e Anita Demçe. Një konflikt mes çiftit në fjalë, ka bërë që gruaja 42- vjeçare, Anita, të godasë më një lopatë bashkëshortin e saj Vladimirin dhe në ndihmë të saj ka shkuar edhe i vëllai i saj 25- vjeçar Hasan Kukalaj. 42- vjeçarja Anita Demce ka "zhdëpur" me bishtin e lopatës të shoqin 46- vjeçar, pasi ky i fundit kishte shumë kohë që ushtronte dhunë ndaj gruas. Burime nga policia e Fierit bëjnë të ditur se Anita së bashku me të vëllanë Hasanin, i kishin bërë të qartë disa herë Vladimirit, që ky i fundit të mos vinte dorë mbi të. Por megjithë kërkesat e vazhdueshme të tyre, Vladimiri nuk ka hequr dorë nga "zakoni i vjetër" e ka vazhduar të rrahë bashkëshorten. Dhuna e vazhdueshme dhe presioni që i është krijuar Anitës, ka bërë që kjo e fundit të reagojë, duke i kërkuar ndihtë të vëllait, Hasanit. Ka qenë një telefonatë e bërë nga Anita në numrin e të vëllait ajo që e ka drejtuar këtë të fundit menjëherë në shtëpinë e çiftit Demçe, duke i ardhur në ndihmë të motrës. Pasi ka parë gjendjen e krijuar dhe gjithë skenën që ka ndodhur në shtëpinë e së motrës, Hasani nuk ka duruar dot më, duke u bashkuar në grindjen bashkëshortore. Anita, e mbështetur edhe nga forca e të vëllait, nuk ka hezituar të marrë një bisht lopate të ndodhur aty pranë, e me këtë të fundit të godasë me gjithë forcën bashkëshortin e dhunshëm. E gjithë ngjarja është dëgjuar edhe nga fqinjët e familjes Demçe në lagjen "AFrim i ri", fare pranë qytetit. Kanë qenë pikërisht banorët e lagjes, ata që e kanë marrë në mënyrë urgjente 46- vjeçarin " e copëtuar", duke e dërguar atë për në spitalin e Fierit. Pasi ka marrë ndihmën e parë në mjediset e spitalit, mjekët kanë konfirmuar se ai ëthë jashtë rrezikut për jetën, por megjithatë është nisur për në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Menjëherë pas shoqërimit të Vladimirit për në urgjencën e spitalit Anita është larguar për në shtëpinë e të atit ku ka qenë tepër i shpejtë edhe kontrolli i ushtruar nga uniformat e policisë së komisarit të Fierit. Pikërisht këtu është bërë i mundur edhe ndalimin e bashkëshortes "trime" dhe vëllait të saj, të cilët janë ndaluar si autorë të kësaj ngjarjeje. 42- vjeçarja është marrë në pyetje nga specialistë të kriminalistikës për gjithë ngjarjen, e ndërsa e ndaluara është shprehur se gjithçka e ka bërë për vetëmbrojtje. Ajo ka shtuar gjithashtu se kishte kohë që ishte nën presionin e të shoqit, i cili ushtronte dhunë sistematike mbi të. Gruaja 42- vjeçare ka pohuar se makthi disavjeçar me të shoqin mund të konfirmohet edhe duke marrë në pyetje fqinjët e saj, pasi në të shumtën e rasteve britmat e sherret dëgjoheshin nga të gjithë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›