Fier e Berat dy gra i japin fund jetes me litar e helm
Dy gra i kanë dhënë fund jetës, duke u vetëvrarë dje në Fier dhe Berat. Policia po heton shkaqet, por mendohet se gjendja depresive i ka çuar dy gratë drejt vetëvrasjes vetëm tri ditë përpara ndërrimit të viteve. Saida Hazizi quhet 30-vjeçarja nga fshati Strum i Rrethin e Fierit, e cila i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur me litar. Mesditën e së martës, ajo është gjetur e varur nga djali i saj i vogël në kasollen pranë banesës. Menjëherë vogëlushi, i alarmuar ka njoftuar pjesëtarët e tjerë të familjes dhe i tronditur nga skena e rëndë, ka humbur ndjenjat. Nëna e 30-vjeçares ka rendur e para drejt kasolles dhe ka gjetur të bijën të varur në traun e kasolles. Ajo është përpjekur t’i heqë litarin nga qafa dhe ta transportojë drejt spitalit të Fierit, por çdo përpjekje ka qenë e kotë, pasi nëna e tre fëmijëve ka mbërritur e vdekur atje. Policia ka shkuar në fshatin Strum dhe nga këqyrja e rrethanave të ngjarjes, e ka klasifikuar ngjarjen si vetëvrasje. Ndërkaq 47-vjeçarja Nexhmie Çifliku nga qyteti i Beratit i ka dhënë fund jetës dje në mëngjes, duke konsumuar një sasi të madhe fostoksine. Gruaja e ve dhe nënë e dy djemve të rritur kishte një tezgë në tregun industrial të këtij qyteti. Gruaja i kishte telefonuar të birit për vendimin që po merrte, por pa i dhënë asnjë shpjegim.