Kasaphane me thika e arme zjarri per gardhin qe ndante pronat e familjeve
Konflikti për pronën ka shkaktuar katër të plagosur nga i njëjti fis në fshatin Rrushkull të Durrësit. Daja e nipër mësohet se janë përleshur keq për shkak të zhvendosjes së një gardhi që ndan pronën e dy familjeve. Burime të policisë lokale deklaruan se të plagosur me armë zjarri automatike kanë mbetur shtetasit Artan dhe Admir Ujka, të cilët janë dërguar menjëherë në spitalin e Durrësit, ku njëri është në gjendje të rëndë. Shefi i repartit të urgjencës në spitalin e Durrësit, mjeku Hashim Zogu, thotë se plumbi ka dëmtuar rëndë kockën e njërit prej të shtruarve në këtë spital dhe ende nuk mund të flitet për pasojat, por të dy të shtruarit në reanimacionin e spitalit janë jashtë rrezikut për jetën. Ndërkaq të plagosur me thikë kanë mbetur shtetasit Ylli Kola dhe Bledar Kola, që ndodhen në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Gjithçka në këtë fundviti ka nisur me një sherr për gardhin dhe gjakrat janë nxehur deri në përdorimin e armëve të zjarrit e armëve të ftohta. Ngjarja është klasifikuar si një plagosje për motive të dobëta dhe grupi hetimor po punon për të sqaruar pozicionet e të përfshirëve në krim, ndërsa me cilësinë e dëshmitarëve janë shoqëruar në ambientet e policisë disa persona për të sqaruar më tej rrethanat e ngjarjes. Të plagosurit me gjithë plagët e marra, mësohet se janë jashtë rrezikut për jetën. Forca të shumta policore kanë shkuar në vendin e ngjarjes, por deri në mbrëmje vonë nuk ka pasur arrestime, pasi hetimet nuk kanë saktësuar menjëherë përfshirjen e gjithsecilit prej të plagosurve a personave të tjerë në këtë krim brenda fisit.