Fier, emërohet kreu i ri i Tatimeve
Drejtoresha e degës rajonale të Tatim-Taksave në Fier, Nevila Bami, e cila dy ditë më parë është arrestuar për "shpërdorim detyre" dhe "falsifikim dokumentesh", është emëruar në krye të Tatimeve Fier, ndërkohë që ishte nën hetim e që dosja në ngarkim të saj kishte mbërritur në gjykatë. Ky fakt pranohet edhe nga kreu i përgjithshëm i Drejtorisë së Tatim-Taksave në Shqipëri, Artur Papajani. Ky i fundit ka qenë në Fier mesditën e së mërkurës, për të bërë emërimin e drejtorit të radhës për këtë degë të rëndësishme tatimore. Bëhet fjalë për Halil Lamaj, i cili deri të mërkurën ka kryesuar njësinë anti-korrupsion të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatim-Taksave në Shqipëri. Ceremonia e emërimit të Lamajt ka zgjatur vetëm 2 minuta. Në orën 12:20 të mesditës së mërkurë, Halil Lamaj, i shoqëruar nga Artur Papajani, ka hyrë në degën rajonale të Tatimeve Fier. Në sallën e konferencave fillimisht kanë hyrë ish-drejtori i Tatimeve të Fierit, Dervish Beqiraj, si dhe drejtori i biznesit të madh, Jonuz Hoxhaj. Pas një konsultimi vetëm disa minutash, është thërritur e gjithë administrata e degës tatimore Fier. Të 80 punonjësit e kësaj administrate janë njohur me drejtorin e ri të tyre, Halil Lamaj. Mësohet se kreu i përgjithshëm i Tatimeve, Papajani, i ka bërë thirrje administratës tatimore të Fierit, që pavarësisht asaj që ndodhi, të angazhohet për të punuar.
Ma. Tr.
Ma. Tr.