E Diel, 1 Nëntor 2026

Sarandë, vdes emigranti në mënyrë misterioze

Vdes në mënyrë misterioze një emigrant i ardhur dy ditë më parë nga ishulli i Korfuzit, mbahet dy ditë për autopsi, pasi mungon mjeku specialist. Odise Sterjo, 47 vjeç, ka udhëtuar nga qyteti i Sarandës për në fshatin e tij të lindjes, në Dhivër të Sarandës, kur udhëtimi dhe jeta e tij kanë marrë një kthesë të papritur. Ai ka ndërruar jetë, kur ka qenë i ftuar si mik në familjen e Athina Kranjotit në fshatin Krane, në periferi të Sarandës. Familjarët e tij nuk kanë mundur ta pranojnë lehtë fatin, duke hedhur akuza kundrejt bujtësve të të afërmit të tyre. Dyshimet për një vdekje të natyrshme, nga ndonjë infarkt i zemrës, përzihen me dyshimet për ndonjë helmim të mundshëm në shtëpinë ku shkoi si mik. Kjo i ka mbajtur larg njëri-tjetrit pjesëtarë të dy familjeve nga Kraneja dhe nga Dhivri, qysh prej së martës dhe dje, teksa prisnin të tërhiqnin kufomën e Odise Sterjos nga morgu i Sarandës. Por këtu ka nisur një tjetër peripeci. Edhe pse kishin kaluar më shumë se 30 orë nga vdekja e Odisesë, spitali i Sarandës nuk ka pranuar t‘ua japë trupin familjarëve, pasi në të nuk ishte kryer autopsia dhe nuk ishte lëshuar një raport që të përcaktonte dhe të përshkruante shkakun e vdekjes së tij. Vonesa ka ardhur nga mungesa e një specialisti, i cili pritej të vinte nga Gjirokastra. Të hidhëruar dhe të revoltuar njëherësh, para dyerve të morgut ata na thanë se kjo që po ndodhte me ta ishte një çudi në vazhdim të çudisë së ndodhur. "Edhe sa 24 orë do të na duhet të presim për të marrë trupin e djalit tonë?", tha i revoltuar për pritjen e gjatë një prej familjarëve, që mësuam se ishte xhaxhai i viktimës. Ndërsa vonesa e kryerjes së autopsisë prej gati 30 orësh, erdhi se Saranda është pa mjekun përkatës. Ai pritej të vinte nga Gjirokastra, por pritja ka vazhduar gjatë, përtej durimit të familjarëve, të vënë befasisht në rrethana hidhërimi për njeriun e tyre. Vetëm në orët e pasdites së djeshme është bërë e mundur marrja e trupit të pajetë të emigrantit Odise Sterjo nga morgu i Sarandës, pas ardhjes së mjekut nga Gjirokastra. Familjarët thanë se edhe pas autopsisë, përgjigjja e mjekut specialist ka qenë e ndërmjetme dhe e paqartë për shkakun e vdekjes së Odise Sterjos. Ndërkohë priten përgjigjet e kampioneve të marra për analizim, që do të zbardhin misterin e vdekjes së 47-vjeçarit.

Th.Nika

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›