E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, furrat abuzojnë me çmimin e bukës, akuzojnë shitësit dhe qytetarët

Çmimi i bukës në qytetin e Fierit vazhdon të jetë i nivelit të një viti më parë, kohë kur drithërat pësuan rritje. Tregtarët e bukës pohojnë se kjo situatë shkakton pakënaqësi te konsumatorët. Sipas tregtarëve të pakicës, buka po shitet me 100 lekë në një kohë që të gjitha qytetet e tjera të vendit e shesin me 50 deri në 60 lekë. Tregtarët e pakicës pohojnë se kanë kërkuar nga prodhuesit e bukës që të ulin çmimin, por ata vazhdojnë të mbajnë të njëjtat çmime si një vit më parë. "Kjo bukë që ne shesim, bie ndesh me atë që shitet në qytetet e tjera. Nuk përballemi dot me blerësin. Ata përditë shprehin pakënaqësi dhe në të shumtën e rasteve nuk na e tërheqin bukën. Kemi kërkuar shpesh herë nga prodhuesit e bukës, që të krijojnë kushte të përshtatshme për të shitur këtë produkt jetik, por çmimi nuk është ulur. Në këtë mënyrë, blerësit nuk e marrin bukën dhe ne detyrohemi ta mbajmë për më shumë se një ditë në dyqan, madje në të shumtën e rasteve e hedhim poshtë. Kemi hasur shpeshherë edhe me ata blerës që pohojnë se çmimi është uluar nga prodhuesit, por ne si tregtarë nuk e ndryshojmë atë për qëllime përfitimi. Duhet të ndërgjegjësohen të gjithë se shitësit e bukës fitojnë vetëm 5 lekë në një bukë, pasi çmimi i saj është i përcaktuar nga prodhuesi. Kurrsesi nuk abuzohet me këtë çmim. "Kështu është shprehur Arbeni, një shitës buke në lagjen "Kastriot" të qytetit të Fierit. Por përballë një fakti të tillë, janë qytetarët ata që kërkojnë transparencë në këtë biznes. Sipas tyre, çmimi i bukës në Fier duhet të jetë i njëjtë me atë në shumë qytete të tjerë, madje edhe më të mëdha e zhvilluara", shprehen tregtarët e bukës, sipas të cilëve, prodhuesit e bukës në Fier janë duke spekuluar me çmimin në një kohë që ende në shumë qytete të tjera një bukë kushton 50-60 lekë. Derisa është bërë e qartë se çmimi i drithërave në këtë periudhë është ulur, atëherë përse spekulohet në mënyrë të tillë me xhepat e qytetarëve. Edhe sot e kësaj dite e blejmë një bukë 100 lekë, kur nuk kemi të ardhura të mjaftueshme për ta përballuar këtë çmim. Në qytetin e Fierit, gjithmonë ka pasur rritje të produkteve dhe asnjëherë nuk ulen çmimet ashtu si në të gjithë vendin", shprehet Dervish Zalli, një ndër qytetarët e shumtë të lagjes "29 nëntori" që nuk pranon faktin e këtij abuzimi me çmimin e bukës. Ndërkohë e njëjta situatë paraqitet në të gjitha lagjet e qytetit, ku dyqanet tregtuese të bukës nuk e njohin uljen e çmimit, pasi buka vjen me të njëjtin çmim nga furrat e pjekjes. Ndërkohë, kryetari i shoqatës së furrave të pjekjes në Fier, Kajo Allkaj ka pranuar se çmimi i bukës në qytetin e Fierit ka mbetur në të njëjtat stade, por kjo vjen si pasojë e kostos së lartë të prodhimit. Sipas tij, furrat në qytetin e Fierit nuk e kanë ulur çmimin, pasi në punishtet e tyre vazhdojnë të jenë të depozituara sasi të konsiderueshme mielli e gruri, të blerë më parë, kur edhe çmimi i tyre ishte tepër i lartë. Për pasojë, derisa prodhuesit të konsumojnë sasinë e drithit të blerë më parë, çmimi i bukës do të mbetet i njëjtë. Ndërkohë burime brenda bashkisë fier dhe Tatim Taksave në qytetit tregojnë se shumë shpejt do të ndërmerret një iniciativë, e cila do të disiplinojë tregun e shitjes së bukës. Ende nuk jepen detaje lidhur me këtë aksion, por mësohet se ai do të përfshijë shumë pika prodhimi e tregtimi të bukës duke u shoqëruar me gjoba drastike për të gjithë shkelësit. Dihet tashmë se vetëm një vit më parë buka dhe nënproduktet e miellit pësuan rritje drastike për shkak të rritjes së çmimit të drithit në bursat ndërkombëtare. Por megjithëse prej një muaji çmimi i drithërave në bursë ka rënë në nivelet e mëparshme, në Fier ende nuk vihet re ulja e çmimit të bukës. Aktualisht çmimi i bukës në qytetin e Fierit vazhdon të mbetet i pandryshuar, ku një bukë 1 kg shkon në 100 lekë të reja, fakt i cili rëndon përditë e më shumë në ekonominë e qytetarëve fierak.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›